English

Rusi - Arrestohen Katër Opozitarë Pas Një Grindjeje Për Stalinin

SHËN-PETËRBURG, 7 maj /ATSH-AFP/ - Katër opozitarë të cilët po protestonin kundër një autobusi me figurën e Stalinit që qarkullonte në rrugët e Shën-Petërburgut u arrestuan sot pas një grindjeje me disa komunistë të cilët ishin në favor të këtij homazhi për diktatorin sovjetik. Disa përfaqësues të partisë së opozitës liberale Iabloko me veshje të burgosurish të gulageve u mblodhën përpara një stacioni autobusi në qendër rë kryeqytetit të dikurshëm të perandorisë ruse, në veriperëndim. Ata mbanin në duar parrulla ku numëroheshin krimet e Stalinit, i bëri të ditur AFP-së zyrtari lokal i Iablokos, Maksim Reznik. "Më tej ata u rrethuan nga komunistë të cilët thërrisnin 'Stalin! Rusi! Fitore!'", shtoi ai. Policia ndërhyri dhe arrestoi katër opozitarët me argumentin se veprimi i tyre nuk ishte i autorizuar, vazhdoi Reznik. Ai shprehu keqardhjen që incidenti ndodhi të njëjtën ditë kur presidenti rus Dmitri Medvedev kritikoi krimet "e pafalshme" të Joseph Stalinit në një intervistë të publikuar gjerësisht në median ruse. "Kjo tregon se fjalimi i presidentit nuk ka të bëjë aspak me situatën në vend", përfundoi Reznik. Autobusi me figurën e Stalinit u shfaq këtë javë në rrugët e Shën-Petërburgut, një iniciativë e marrë nga disa persona të cilët përdornin internetin në Rusi me rastin e 65-vjetorit të fitores së aleatëve mbi Gjermaninë naziste që bie ditën e diel dhe që ka shkaktuar protesta të shumta. /I.Pu.
KOMENTE