English

Afganistan - Një Zyrtare E Lartë Amerikane Takohet Me Presidentin Karzai

UASHINGTON, 8 maj /ATSH-AFP/ - Presidentja e Dhomës amerikane të Përfaqësuesve, Nancy Pelozi, zhvilloi sot një vizitë në Afganistan gjatë të cilës u takua me presidentin Hamid Karzai, në prag të nisjes së këtij të fundit për në Uashington. "Temat kryesore të takimit ishin siguria dhe situata politike në Afganistan", bëri të ditur zyra e Pelosit në një komunikatë. Ajo shoqërohej nga ambasadori amerikan në Afganistan, Karl Eikenberry dhe nga komandanti i Isaf-it, gjenerali amerikan Stanley McChrystal. Në takim merrnin pjesë edhe disa anëtarë të tjerë të Kongresit amerikan. Karzai pritet të niset nesër (të dielën) për një vizitë në Uashington për forcimin e lidhjeve me administratën amerikane, të tendosura pas deklaratave të presidentit afgan në të cilat ai akuzonte perëndimorët si shkaktarë të manipulimeve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009. Vizita e Pelosit zhvillohet gjithashtu ndërkohë që forcat ndërkombëtare pritet të fillojnë së afërmi një ofensivë në shkallë të gjerë kundër talebanëve në bastionin e tyre Kandahar. /I.Pu.
KOMENTE