English

Greqi - Zgjedhjet Lokale: Imigrantët Votojnë Për Herë Të Parë

ATHINË, 8 maj /ATSH-AFP/ - Zgjedhjet rajonale dhe bashkiake greke, në të cilat imigrantët që kanë një lejeqëndrimi në Greqi mund të marrin pjesë për herë të parë, do të zhvillohen më 14 nëntor, njoftoi Ministria e Brendshme greke në një qarkore të publikuar dje. Këto zgjedhje do të jenë testi i parë politik për qeverinë socialiste në pushtet që prej tetorit, që po përballet me një krizë financiare të paprecedent dhe është detyruar të miratojë një plan të masave të rrepta ekonomike dhe i kundërshtuar nga sindikatat, në këmbim të një ndihme prej 110 miliardë euro gjatë tre vjetëve të zonës euro dhe FMN-së. Sipas një ligji për imigracionin të miratuar në mars, ministria u ka dërguar një qarkore autoriteteve lokale që të regjistrojnë këta zgjedhës të rinj në listat elektorale. "Pjesëmarrja politike e imigrantëve me dokumente të rregullt në zgjedhjet lokale është një akt i rëndësishëm për integrimin e tyre social, që i jep fund përjashtimit të tyre social dhe lënies së tyre mënjanë", bëri të ditur ministria në këtë dokument. Qeveria socialiste miratoi në mars një ligj për imigracionin që u bën të mundur dhënien e kombësisë greke imigrantëve të brezit të dytë dhe të drejtën e votës në zgjedhjet lokale për imigrantët me dokumente të rregullta. /I.Pu. a.jor.
KOMENTE