English

Rama: Të Gatshëm Për Dialog, Por Transparenca, E Vetmja Rrugë E Zgjidhjes

- Kryetari i PS-së viziton grevistët e shtruar sot në QSUT - TIRANË, 8 Maj/ATSH-Anila Struga/.- "Ne jemi të gatshëm të dialogojmë për të gjetur sa më shpejt rrugën e zgjidhjes, por jemi të bindur se e vetmja rrugë është transparenca e zgjedhjeve", u shpreh sot për mediat kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pasi vizitoi katër grevistët e shtruar sot në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", të cilët ndërprenë grevën e urisë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Kreu socialist nënvizoi se "ne asnjëherë nuk kemi refuzuar asnjë ftesë, nga cilado anë që ajo ka ardhur për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me interesin publik, çështje kaq madhore për ardhmërinë e vendit dhe njerëzve, që e kanë Shqipërinë atdheun e tyre dhe nuk duan t'a kthejnë në një mbretëri të pashpallur". Rama theksoi se "opozita është e vendosur të sakrifikojë dhe të përballet pa lëkundjen më të vogël në kërkim të diçkaje që është aq elementare sa ç'është elementare dhe lirija e çdo njeriu, por që është bërë kaq madhore dhe po kthehet paralelisht me vuajtjen dhe sakrificën e këtyre njerëzve". Duke ju referuar pushtetit, Rama tha se, "po vazhdon të bëjë qorrin dhe shurdhin, pa arritur të kuptojë se po ofron një përballje me popullin që do të ishte fatale për të". Por gjithashtu, Ram pranoi edhe se kjo, "nuk do të ishte rruga më e mirë për ta zgjidhur çështjen". Deri tani ka arritur në 10 numri i grevistëve të dalë nga greva për shkak të komplikacioneve të shfaqura në shëndetin e tyre si pasojë e mungesë së ushqimit. Gjatë ditës sot, mjekja Alketa Hila, që asiston shendetin e grevistëve, deklaroi për mediat se gjëndja shëndetësore e tyre ka filluar të përkeqësohet, duke veçuar deputetët grevistë Besnik Bare dhe Agim Leka, që janë në gjendje më të rënduar për shkak të luhatjeve të tensionit. Por sipas mjekes Hila, "ata refuzojnë të shkojnë në spital për një trajtim më të specializuar mjekësor"./n.m/
KOMENTE