English

Durres: Java Evropiane, Veprimtarite Kulturore Permbyllen Sot Me Koncertin Festiv

DURRES, 9 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Veprimtaritë kulturore dhe artistike në kuadër të "Javës evropiane", të cilat që nga dita e hënë i dhanë gjallëri gjashtë bashkive të qarkut të Durrësit, do të përfundojnë sot në mbrëmje me një koncert të madh festiv, në të cilin është konfirmuar edhe pjesmarrja e kreut të Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan. Dje pasdite në odeonin "Nikolin Xhoja" nxënësit e shkollës së mesme "16 shtatori" të Shijakut u shpallën fitues të konkursit "Të njohim Evropën" pas një takimi mjaft emocionues me bashkëmoshatarët e tyre të shkollës së Sukthit. Vetëm pyetjet shtesë i dhanë fitoren të rinjve shijakas, të cilët u nderuan me kupën përkatëse mes 8 shkollave të mesme të përzgjedhura nga Durrësi, Kruja, Fushë Kruja, Manza, Sukthi dhe Shijaku. Java e veprimtarive kushtuar 9 majit, 60-vjetorit të ditës kur ministri i jashtëm francez Robert Shuman prezantoi idenë e tij për krijimin e Evropës së bashkuar, u organizua me nismën e Këshilit të qarkut në marrëveshje me 6 bashkitë kryesore. Ajo u hap ditën e hënë me seminarin "Dialogu interkulturor, parim bazë i qytetarisë demokratike dhe integrimit evropian". Ndërkaq, në qytetet e Sukthit, Manzës, Fushë Krujës dhe Krujës ansambli folklorik "Durrësi" dhe "Kastrioti" kanë shpalosur disa nga vlerat e traditës qytetare të këngës dhe valles së trevës së Shqipërisë së mesme. Në holin e pallatit të kulturës nxënësit piktorë të shkollës së mesme artistike "Jan Kukuzeli" prezantuan 28 punime me temën "Shqipëria dhe Evropa", temë mbi të cilën u bazuan edhe esetë dhe reportazhet e të rinjve letrarë të shkollave të mesme të qarkut, çmimet për konkurimin e të cilëve do të shpallen sot në mbrëmje, bënë të ditur burim e nga këshilli i qarkut. Ansambli instrumental "Jan Kukuzeli", i drejtuar nga dirigjenti i njohur Petrika Afezolli, ka intepretuar në kuadër të veprimtarive të Javës evropiane një kolazh me muzikë klasike nga kompozitorë të njohur shqiptarë dhe të huaj. /a.ke/
KOMENTE