Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Dy botët e Bulevardit
English

Dy botët e Bulevardit

Këto janë dy botët që përplasen këtu, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit. Kjo pritë është armiku i Shqipërisë e i shqiptarëve. Frika që e ndan Shqipërinë, në Shqipërinë e të punësuarve të regjimit dhe në Shqipërinë e të pa punëve. Në Shqipërinë e shërbëtorëve të regjimit, e në Shqipërinë e atyre të mallkuarve prej tij

Nga Edi Rama* - Foto: LSA

Telefoni im gjatë gjithë këtyre ditëve është bërë një kuti, ku mblidhen me shpejtësi marramendëse mesazhe të pafundme. Janë mesazhe shprese, janë mesazhe solidariteti, janë mesazhe urimi dhe dëshirash të ndrydhura. Në shpirtin e shumë kujt që kërkon lirinë, por nuk ka kurajon të bëjë për lirinë atë që të tjerët po bëjnë sot. Ka dhe mesazhe anonime, mesazhe pa fytyrë, mesazhe pa emër, mesazhe pa adresë. Një ndër këto mesazhe sapo më erdhi ndërkohë që po dëgjoja Elsa Lilën.

Në atë mesazh dora cinike kishte shkruar, se të rrish 10 ditë pa bukë nuk ke fuqi të çohesh nga shtrati, e jo më të mbash fjalime si këto që po dëgjojmë. Unë kam një përgjigje për të, e për të gjithë atë cinizëm i cili sot, në pushtet dhe në oborrin e pushtetit ushqen me energji negative gjithë farë lloji ndjesish dhe hamendjesh. Përgjigja ime është: Po, kur një njeri i zakonshëm rri 10 ditë pa bukë për arsye që nuk lidhen me shpirtin e tij, padyshim nuk ka fuqi të ngrihet nga shtrati e mbase nuk ka fuqi as për të marrë frymë. Por kur një njeri i zakonshëm, ndjen nevojën e jashtëzakonshme për liri, për të drejta e dinjitet, nuk është ushqimi që hyn nga goja që ju jep fuqinë për të folur, por është ushqimi që i vjen nga shpirti, që e bën të ngrihet e të rezistojë. Duke thyer çdo ligj të natyrës. Duke thyer çdo kufi nga ato kufij që janë vendosur mes njerëzish normal, në jetën normale, për punët normale të kësaj jete.

E pra motra dhe vëllezër kjo nuk është një përpjekje si të gjitha të tjerat. Dhe fakti që këtë përpjekje e bëjnë plotë e plotë njerëz të zakonshëm, tregon se njerëzit e jashtëzakonshëm kur bëhen bashkë për ideale dhe ide mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme.

Kjo është dhe historia e Evropës që sot ka ditëlindjen e saj. Kjo është edhe historia e Evropës që 65 vjet më parë zmbrapsi makinerinë e tmerrshme fashiste, e 65 vjet më parë hodhi një hap me fuqinë e jashtëzakonshme të imagjinatës.

Paqja në botë mund të rruhet vetëm nëse ndërmarrim hapa të guximshëm krijues, në raport me rreziqet që e kërcënojnë paqen. Kjo është fjalia e parë e deklaratës së 60 vjetëve më parë, 9 maj 1950. Kur Robert Shumani, ministri i jashtëm i Francës, vuri gurin e parë të themelit të Evropës së bashkuar.

Hapat e guximshëm krijues, në praninë e rrezikut janë hapat që çojnë përpara njeriun, shoqërinë, botën. Pa guximin për ta parapërfytyruar si të arritshme atë që mungon, dhe pa guximin dhe pa vendosmërinë për ta gjetur dhe sjellë në realitetin e jetës së përditshme atë që parafytyron, njeriu nuk do të kishte arritur kurrë të ishte ai, njeriu. Njeriu s’do kishte arritur kurrë të shkonte në hënë. Njeriu s’do kishte arritur kurrë ti jepte kësaj bote, përmasën që ajo ka sot. Njeri s’do kishte arritur kurrë të ëndërronte atë që ëndërron sot, se mund të dominoj jo vetëm tokën, por mund të dominojë edhe klimën. Shoqëria njerëzore s’do kishte gjetur kurrë atë që ka sot dhe bota s’do kishte mbërritur kurrë aty ku është sot.

9 maji i vitit 1945 është dita e triumfit mbi të keqen që kërcënoi europën. 9 maji i vitit 1950 është dita e deklaratës që projektoi bashkimin e europës. Dhe motra dhe vëllezër kujtohu sot që të gjithë që bashkimi i europës u krijua mbi fundin e një armiqësie tradicionale dhe fillimin e një miqësie strategjike. Franca dhe Gjermania i kthyen lumenjtë e pafundmë të urrejtjes dhe të gjakut që kishin mbarëshuar me qindra vjet mes tyre, në fuqie energjisë që ndryshoi europën dhe botën në një miqësi dhe bashkëpunimi mes tyre.

Në 9 maj 1945 u mposhtë fashizmi si sistem. Në 9 maj 1950 u ngrit europa, si bashkim i energjisë së lirisë dhe vlerave të demokracisë. Por kam edhe diçka tjetër për 9 majin. Është edhe diçka tjetër që sot e bënë 9 majin në një rastësi fatlume. Në këtë ditë që na mbledh të gjithëve ne pranë kësaj çadre, e diela e dytë e majit është data ndërkombëtare e nënës. E diela e dytë e këtij maji, është sot 9 maj. Në ditën ndërkombëtare të nënës, unë dua ti puth duart nënës së Elisa Spiropalit. Dhe ne të gjithë së bashku I puthim duart Shegës, Anilës, Ledit, Ermonelës, Florës dhe Mimozës. Nënave që sot janë në këtë çadër, sepse jo vetëm i duan fëmijët e tyre si dritën e syve, por duan për fëmijët e tyre lirinë dhe drejtësinë. Që sot u mungon të rejave dhe të rinjve të këtij vendi. Lirinë dhe drejtësinë që sot ju mungon grave dhe burrave të këtij vendi. Lirinë dhe drejtësinë që janë të vetmet shtysa që e çojnë një vend përpara. Lirinë dhe drejtësinë që janë në themelet e europës, me të cilën ne duam të bashkohemi.

Sot në 9 maj të vitit 2010, në zemër të Shqipërisë, në mes të bulevardit “ Dëshmorët e Kombit” është ngritur një çadër që po bën histori. Dhe në anën tjetër, në të majtë e të djathtë të çadrës, qëndrojnë dy godina. Godinat e dy pushteteve që kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i përcakton si pushtet i popullit. Pushteti që bën ligje të mira për popullin, dhe pushteti që i ekzekuton ato ligje. Dhe në ndërkohë sot në 9 maj të vitit 2010, ne ndiejmë, ne shohim, ne prekim, se nga këto dy godina , jo vetëm që nuk dalin ligjet që ne duam, jo vetëm ligjet që shkruhen nuk zbatohen, por nga këto dy godina del përditë fantazma e një frike që shpërndahet kudo. Që shpërndahet në të gjithë Shqipërinë. Që shpërndahet tek nënpunësit e administratës. Që shpërndahet mes policëve dhe ushtarakëve. Që shpërndahet mes mësuesve e mjekëve. Që shpërndahet mes të gjithë atyre që e kanë një punë dhe që për ta mbajtur atë punë detyrohen të paguajnë haraçin e mbylljes së gojës. Fantazma e një frike që hyn shtëpi më shtëpi. Fantazma e një frike që paralelizon familje më familje. Fantazma e një frike që merr peng burra e gra, vajza e djem, në qytet e në fshat, në veri e në jug, në Shqipëri e në emigracion.

I merr peng me se?

I merr peng me kërcënimin e skamjes. I merr peng me kërcënimin e pa punësisë. I merr peng me kërcënimin e përjashtimit social. E pra lufta me skamjen, lufta me pa mundësinë, lufta me përjashtimin social, është ajo që e bën europën europë. E në këtë luftë identifikohen europianët. Ndërkohë që me këto mjete luftojnë vetëm talebanët. Vetëm pushtetet me sytë pa dritë. Vetëm pushtetet me vesh pa rrugë. Vetëm pushtet që nuk burojnë nga vullneti i popullit kalërojnë mbi skamjen. Kalërojnë duke thënë se po më dole përballë do jesh edhe më i skamur. Kalërojnë duke thënë se do të jesh i pa punë po më dole përballë. Kalërojnë mbi përjashtimin social. Kalërojnë duke mallkuar se do jesh edhe më i mallkuar po më dole përballë. Ndërkohë që qeveritë burojnë nga shprehja e vullnetit të popullit janë ditë e natë pa gjumë. Janë ditë e natë në këmbë. Janë ditë e natë në kërkim të zgjidhjeve kundër skamjes, kundër pa punësisë, kundër përjashtimit social.

Këto janë dy botët që përplasen këtu, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit. Kjo pritë është armiku i Shqipërisë e i shqiptarëve. Frika që e ndan Shqipërinë, në Shqipërinë e të punësuarve të regjimit dhe në Shqipërinë e të pa punëve. Në Shqipërinë e shërbëtorëve të regjimit, e në Shqipërinë e atyre të mallkuarve prej tij. Në Shqipërinë e atyre që pranojnë një lëmoshë sa një bukë goje, në kompensim të mbylljes së gojës, e në Shqipërinë e atyre që duhet të ikin nëse nuk e pranojnë mbretërinë e pa shpallur të Sali Berishës.

Kjo frikë fik energji të pafund shqiptarësh e shqiptaresh. E shkurajon një fuqi të pa fund njerëzish, në një Shqipëri të vogël. Në një Shqipëri të cilës Zoti i ka dhënë gjithçka duhet për të qenë e mirëqenë. Për të qenë atdheu i çdo shqiptari. Në një Shqipëri ku jemi shumë pak për të qenë të ndarë. Ku jemi shumë pak për të qenë të përçarë. Ku jemi shumë pak për të qenë të trembur.

Kujtesa historike për Evropën, kujtesa historike për fitoren e europës mbi fashizmin. Kujtesa historike për projektin e madh të europës së bashkuar duhet të na ndihmojë për të kuptuar, se në themelin e mirëqenies është kurajoja. Në themelin e demokracisë është liria. Në themelin e betejës për të ardhmen është ekonomia e lirë. Dhe duhet të na ndihmojë gjithashtu të kuptojnë që kjo frikë që po mbyt të çdo ditë të vërtetat e popullit të zakonshëm në detin e pa fund të pisllëkut qeveritar, e po pengon çdo ditë lirinë që të punojë njësoj për të gjithë shqiptarët, është një frikë e cila rri në këmbë nëpërmjet korrupsionit. Korrupsionit që i ka rrënjët që në kutitë e mbyllura të votimit dhe që i shtrin ato kudo. Duke blerë shpirtra të dobët intelektualësh e artistësh, që s’kanë asgjë më të mirë për të bërë sesa të dalin kundër një beteje për rezistencë. Por një rezistencë paqësore në emër të europës, në emër të demokracisë.

Por ndërkohë nuk ka vdekur Shqipëria. Ndërkohë nuk ka vdekur shpirti i lirë shqiptar. Ndërkohë nuk kanë vdekur artistët që e nderojnë Shqipërinë nëpër botë, e që vijnë nga bota për të ardhur këtu. E për tu bërë bashkë me shqiptarë e shqiptare që e duan Shqipërinë si gjithë europa. Mirënjohje të thellë Elsa Lilës.

Çfarë duam ne? Dhe si është e mundur që për atë që duam, jo vetëm të mallkohemi nga ata që kanë arsye të na mallkojnë. Sepse liria jonë kërcënon pushtetin e tyre që është i ngritur mbi kufizimin e lirisë. Po të tjerët ata që dalin që bëjnë deklarata dhe marrin pozicione, e dinë se çfarë duam ne, a e dinë se çfarë kërkojmë ne, a e dinë se pse ne jemi këtu. Ne jemi këtu sepse ne e dimë që aty ku e vërteta nuk është e lirë, liria nuk është e vërtetë. Ne jemi këtu sepse duan një Shqipëri ku çdokush të jetë i lirë dhe ku e vërteta të jetë e lirë. Ne duam një Shqipëri që të mos jetë e fundit fare në Ballkan për lirinë e informacionit dhe të shtypit.

Në vitin 2003 kur shumëçka nuk shkonte mirë në këtë vend, por prapësëprapë Shqipëria ishte e para në Ballkan për lirinë e informacionit dhe të shtypit. Sot është e fundit. Ne duam një Shqipëri ku shteti të jetë i lirë dhe që shteti të jetë i lirë duhet që nënpunësit e shtetit të varen nga ligji, jo nga urdhri. Që mësuesi dhe mjeku të jenë të lirë të ushtrojnë profesionin e tyre dhe të kenë mundësi që ta thonë atë që mendojnë në çdo moment dhe të mos kenë frikë të thonë atë që mendojnë.

Ne duam një Shqipëri ku mësuesi të jetë simbol i paprekshëm, të jetë autoriteti më i lartë moral i shoqërisë, të jetë pika e referimit për të gjithë, për shtetin, për familjen për nxënësit. Ne duam një Shqipëri ku mësuesit të hyjnë në klasë dhe tu mësojnë fëmijëve dashurinë për vendin e tyre, tu mësojnë fëmijëve dashurinë për dijen, tu mësojnë fëmijëve sesa madhe është bota dhe sesi Shqipëria e vogël mund të jetë pjesë kësaj bote. Tu mësojnë fëmijëve të kenë fuqinë e imagjinatës për të bërë hapa me kurajo në kushtet e rrezikut, sepse çdo hap në jetën e një njeriu është një rrezik. Është një rrezik që është bashkë me lirinë, është një rrezik që është bashkë me konkurrencën, është një rrezik që është brenda logjikës së një jete demokratike, ku duhet të fitojë ai që është më i miri dhe jo ai që është më i poshtri. Ku duhet të fitojë ai që e meriton dhe jo ai që vetëm ul kokën dhe shërben. Ku duhet të fitojë ai që është i dalluar në mësime, jo ai që është i dalluar në shërbime.

Ne jemi këtu sepse duam një Shqipëri ku mjeku dhe infermierja të jenë pranë njerëzve pa dallim. Ne duam një Shqipëri ku mjeku dhe infermierja të mos jenë shënjestra me të cilën pushtetet e korruptuara e përbaltin të gjithë dinjitetin e tyre, sepse nuk kanë fuqi të ngrenë një sistem shëndetësor që të jetë në gjendje që të luftojë me korrupsionin që e kanë ngrënë të tërën shëndetësinë. Ne duam një Shqipëri ku mjekët të mos kenë frikë të thonë atë që mendojnë. Ne duam një Shqipëri ku qoftë mësuesi, qoftë mjekët, të mos kenë asnjë problem të takohen dhe të ballafaqohen qoftë me ata që qeverisin, qoftë me ata që janë në opozitë. Të mos kenë asnjë problem të marrin pjesë në çdo aktivitet, të mos kenë asnjë problem të thonë fjalën e tyre. Një Shqipëri, jo si Shqipëria që pashë dje teksa kaloja në korridoret e spitalit, ku të gjithë mjekët, ku të gjitha infermieret pa përjashtim na shtrëngonin duart, na jepnin kurajo nga larg, një kurajo pa fuqinë për të thënë atë që mendojnë.

Ne jemi këtu sepse ne duam një Shqipëri të sipërmarrjes së lirë, të sipërmarrjes së lirë të çdo shqiptari, pavarësisht se në familjen e tij ka socialistë apo demokratë, pavarësisht se familja e tij voton për Partinë Socialiste, për Partinë Demokratike apo për këdo qoftë. Një Shqipëri ku liria të jetë një instrument në duart e të gjithëve, një Shqipëri ku me lirinë, talentin e këtij vendi, ti bëjë mrekullirat këtu në vendin tonë dhe jo të jenë të detyruar të largohen si të mallkuar. Ne duam një Shqipëri ku dyqanxhinjtë e vegjël, ata që i kanë dhënë bukuri rrugës së Durrësit, rrugës së Kavajës dhe të gjithë rrugëve kryesore të Tiranës dhe të gjithë qyteteve, jo thjesht të duartrokasin nga mbrapa xhamave kur njerëzit vijnë për protestë, jo thjesht të buzëqeshin dhe të shkelin syrin, por të bashkohen sot me ne, nesër më kundërshtarët tanë. Të bashkohen gjithmonë për ti kërkuar qeverisë të ruajë rolin që i takon, për ti kërkuar qeverisë tu garantojë lirinë dhe të drejtat që u takojnë.

Ne duam një Shqipëri ku askush të mos e shohë policin e taksave tek dera sepse është i identifikuar si armik i pushtetit. Ne duam një Shqipëri ku polici i taksave, ku ai tjetri i veshur civil përsëri për taksat, ku i treti që vjen për taksat e taksave të përulen përpara çdo sipërmarrësi të lirë.

Ne duam një Shqipëri e cila të mos jetë peng e buxhetit të shtetit, por të jetë një Shqipëri e ngritur mbi fuqinë marramendëse të kapitalit të të gjithë shqiptarëve, atyre që janë këtu dhe atyre që janë në emigracion, që duhet të investojnë. Të investojnë duke e pasur shtetin pas, jo si një qen që i ndjek si të ishin të mallkuar, por si një shërbëtor që i ndjek duke i adhuruar. Kjo është Shqipëria që duam ne.

Ne duam një Shqipëri tjetër, ne duam një Shqipëri ku shteti të jetë i të gjithëve, ku administrata e shtetit ajo që paguhet me lekët e secilit prej nesh, ti shërbejë njësoj që të gjithëve, ku uniforma policit të jetë e shenjtë për të gjithë dhe polici tu shërbejë të gjithë njësoj. Ne duam një Shqipëri ku polici ti trembet më shumë qeveritarit që e parkon makinën mbi trotuar, sesa qytetari kur kalon normalisht dhe detyrohet të ketë frikë nga polici sepse mund të jetë i identifikuar si pjesëmarrës në mitingun e opozitës.

Ne duam një Shqipëri ku mos ketë më fëmijë shkollash të venë në rresht si pionierët e dikurshëm të diktatorit komunist, të cilëve u thuhet të shtunën dhe të dielën do të vini në shkollë se kemi prapambetje në mësime dhe pastaj merren e hidhen në boshllëkun e një politike që nuk u mëson asgjë tjetër përveçse si të ndahen si të përçahen si të urrehen. Ne duam një Shqipëri ku drejtoi i shkollës që guxon të mbledhë mësues dhe mësuese nxënës dhe nxënëse për ti çuar në miting, jo të pushohet nga puna, por ti hiqet për gjithë jetën e drejta që të futet në sistemin arsimor edhe si mësues. Ne duam një Shqipëri ku nxënësit në shkollë të lexojnë të mësojnë të ushqejnë shpirtin tyre më bëmat e Skënderbeut, me përfytyrimin e Ismail Qemalit, me kulturën e Fan Nolit, me idealet e atyre që dhanë jetën për liri me idealet e atyre që u burgosën pikërisht sepse kishin ide të ndryshme nga ata që lirinë e kthyen në një mjet për të shtypur këdo që nuk mendonte si ata.

Ne duam një Shqipëri ku ata që futen mbrapa hekurave të mos kenë më mundësinë të dalin nga hekurat për asnjë arsye në botë, përveçse kur ligji jua lejon. Si mund të pranojmë ne një Shqipëri ku kriminelët, njerëzit që janë prapa hekurave për krime të rënda të dalin me leje gjatë fushatës për të terrorizuar familjet e opozitarëve. Çfarë marrin në këmbim këta kriminelë? Marrin në këmbim pikërisht atë që nuk duhet të marrin, marrin në këmbim pikërisht atë që ligji nuk e lejon ta marrin dhe e marrin pikërisht aty ku nuk duhet ta marrin, tek qeveria, që në vend se të na ruaj, i lëshon kriminelët rrugëve për të bërë presion në mënyrë që të qëndrojë në pushtet.

Ne duam një Shqipëri ku fondet publike të administrohen me transparencë të plotë, ne duam një Shqipëri ku investimet të bëhen me transparencë të plotë, ne duam një Shqipëri ku ndihma ekonomike të bëhet me transparencë të plotë dhe jo të gjitha këto pak para të popullit shqiptar të përdoren për rrush dhe kumbulla të pushtetit, vetëm e vetëm që pushteti të riciklohet.

Dje Sali Berisha bëri një inaugurim, inauguroi përsëri një rrugë që e kishte inauguruar më parë. Tani ka vendosur të kthehet tek gropat që hapi përpara fushatës për të prerë shirita të rinj dhe me të Shqipëria do të ketë vetëm shirita dhe asnjë punë, sepse pushteti i Sali Berishës nuk bën punët e Shqipërisë po bën punët e oborrit të pushtetit dhe kjo është arsyeja pse Shqipëria sot është bashkuar poshtë shumë poshtë në listën e vendeve më të korruptuara.

Ne duam një Shqipëria ku pushteti ti merret korrupsionit dhe ti jepet konkurrencës. Konkurrencë për të hyrë në universitet, konkurrencë për të hyrë në punë, konkurrencë për të hyrë në treg, konkurrencë për të qenë i mirëqenë dhe në ndërkohë solidaritet me ata që nuk ja dalin dot. Ne duam një Shqipëri ku shteti të jetë garant i konkurrencës dhe i punës së secilit, jo punëdhënësi i atyre që i shërbejnë pushtetit.

Ne duam një Shqipëri të çliruar, një Shqipëri të çliruar në energjinë e vet pozitive për tu bërë vërtet si gjithë europa, nuk na mungon asgjë, na mungon vetëm kutia e mbyllur e zgjedhjeve.

Volteri i madh thoshte një fjalë që e pashë të udhës ta sjell këtu sot: Është e rrezikshme të kesh të drejtë kur qeveria e ka gabim. Kjo çadër është simboli i sfidës së madhe të popullit opozitar, i sfidës së madhe të atyre 1 milion shqiptarëve që kanë marrë pjesë nëpër protesta në gjithë këta muaj. I sfidës së madhe të Shqipërisë që kërkon të çlirojë të vërtetën, që lirinë ta ketë të vërtetë. Sfida jonë është se ne nuk pyesim për asnjë rrezik, sepse ne nuk kemi frikë të kemi të drejtë.

Dua të mbyll me një frazë nga kujtimet e dikujt i cili ishte dërguar nga qeveria britanike për ta asistuar qeverinë e një vendi shumë të prapambetur në Afrikë i cili shkruan: Të korruptuar deri në palcë dhe të paaftë për të luftuar me evazioni fiskal, zotërinjtë që sot e sundojnë këtë vend, duke i marrë liritë dhe të drejtat. Nuk kanë as vullnetin dhe as aftësinë të gjuajnë në xhungël dhe për këtë arsye shkojnë me çifte dhe vrasin në kopshtin zoologjik, merren vetëm me ata që janë të ndershëm dhe ndershmërisht i tregojnë të ardhurat nga biznesi i tyre. Merren vetëm me ata që janë të ndershëm dhe ndershmërisht e tregojnë përkatësinë dhe bindjen e tyre, merren vetëm me ata që janë të ndershëm dhe ndershmërisht luftojnë për liritë dhe të drejta e tyre.

Por sado e madhe qoftë ngjashmëria ka një gjë shumë të madhe që ne nuk na bën të ngjashëm. Me rastin që ju solla ndërmend dhe me të gjithë ato rastet tjera ku kutitë mbahen të mbyllura, sepse pushteti nuk buron nga populli, por buron nga fuqia e vetë për ta nënshtruar popullin. Dhe e dini se çfarë na bën ne të ndryshëm, na bën fakti që ne jemi lindur në mes të europës, që ne jemi europianë dhe që ne do të jetojmë në Shqipërinë tonë si evropianë, sado kjo të kushtojë dhe sado e madhe të jetë përpjekja dhe sakrifica për ta çliruar lirinë dhe për të vendosur në themelin e bashkëjetesës sonë të drejtën, që kushtetuta të mos jetë një libër që na e lexojnë ata që në pushtet e shkelin përditë, por kushtetuta te jetë një bibël që e respekton cilido që jeton në këtë tokë çdo ditë.

(*) Fjala e plotë e mbajtur në protestën e 9 majit

KOMENTE