English

Koment - 9 Maji - Ceremonitë Përkujtimore Të Luftës Nxjerrin Në Pah Vuajtjet E Mëdha Të Vendeve Baltike

RIGA, 9 maj /ATSH-AFP/ - Ceremonitë përkujtimore me rastin e fitores mbi Gjermaninë Naziste më 9 maj bëjnë që të dalin në dritë vuajtjet e mëdha të tre ish-republikave sovjetike baltike, të anëtarësuara në Bashkimin Evropian dhe në NATO, kur flitet për historinë e tyre. Për këtë një shembull janë dy ekspozita të vogla të hapura së fundi në të njëjtin kat të një qendre kongresesh të stilit sovjetik në Riga, njëra që tregon për 50 luftë kundër pushtetit sovjetik dhe tjetra për çlirimin nga Ushtria e Kuq në vitin 1944 të kryeqytetit letonez të pushtuar nga gjermanët. "Historia është një nga burimet më të forta të përçarjes mes vendeve baltike", shpjegon Nils Muiznieks, pedagog i shkencave politike në Universitetin e Letonisë. "Kjo ndodh jo vetëm për shkak të eksperiencave personale por edhe të politikës dhe medias", deklaroi ai për AFP-në. Në Letoni, ashtu si tek fqinjët e saj, Lituania dhe Estonia, është e zakonshme të dëgjosh biseda që kundërshtojnë ceremonitë me rastin e ditëve si 9 maji. "'Historia është gjithmonë një çështje shumë e vështirë mes fqinjëve", u shpreh në një intervistë dhënë së fundi AFP-së presidentja lituaneze Dalia Grybauskaite. Moska i akuzon shpesh vendet baltike për rishkrimin e historisë së Luftës së Dytë Botërore dhe se lavdërojnë nazistët të cilët janë pritur si çlirimtarë në vitin 1941 nga një pjesë e popullit për dëbimin e sovjetikëve që kishin hyrë në vitin 1939, dhe në disa njësi ku ishin angazhuar ushtarë baltikë. Estonia, Letonia dhe Lituania theksojnë se Kremlini nuk e pranon përgjegjësinë e tij në dekadat e dominimit sovjetik. "Është themelore të jesh i përgatitur mendërisht për ta pranuar fqinjin, për të pranuar pavarësinë e tij, për ta respektuar atë dhe të përpiqesh t'i pranosh gabimet e dhimbshme të kryera në të kaluarën, sidomos nga regjime totalitare", vazhdoi Grybauskaite. Për shumë letonezë, estonezë dhe lituanezë, përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, që solli çlirimin e Evropës Perëndimore, solli pesë dekada pushtim dhe shtypje nga sovjetikët. Mijëra baltikë janë deportuar në gulage në Siberi në kohën e regjimit të Josif Stalinit. Për shumë rusë që jetojnë në vendet baltike, 9 maji simbolizon përfundimin e një lufte gjermano-sovjetike që mori miliona jetë njerëzish dhe i shkaktoi popullit rus dhimbje që, sipas tyre, nuk janë njohur sa duhet nga vendet baltike. "Kjo ndjenjë vjen nga dy interpretime të ndryshme të asaj që konceptohet si e njëjta luftë", shprehet Ojars Kalnins, drejtor i Institutit letonez, organizëm publik i ngarkuar me informimin e botës rreth Letonisë. Nacionalistët kanë kritikuar presidentin letonez Valdis Zatlers dhe presidentin estonez Toomas Hendrick Ilves lidhur me vendimin për të shkuar në paradën e 9 majit në Moskë, një vendim që çdo vit shkakton polemikë. Rreth 200 000 persona, shumica me origjinë ruse, pritet të mblidhen këtë vit përpara një monumenti sovjetik në një park të Rigës në ceremoni të mbushura me nostalgji sovjetike. Njëzetë e shtatë për qind e 2,2 milionë letonezëve janë me origjinë ruse. Në Talin, kreyqyteti i Estonisë, rusët përkujtojnë ditën e Fitores me ceremoni të vogla paqësore në varrezën ushtarake. Autoritetet estoneze kanë sjellë në vitin 2007 pikërisht në këtë varrezë një monument për ushtarët sovjetikë që dikur ndodhej në qendër të qytetit, duke shkaktuar trazira. "Shërimi prej kësaj periudhe sovjetike është i ngadaltë", i deklaroi AFP-së kryeministri letonez Valdis Dombrovskis gjatë një vizite në muzeun e Pushtimit që tregon për historinë e Letonisë nga viti 1939 deri në shpërbërjen e BRSS-së në vitin 1991. /I.Pu.
KOMENTE