English

Rama: Premtimi për heqjen e vizave do të realizohet

Tiranë, 09, Maj, NOA – “Shqipëria ka bërë progres në këto muaj qeverisje”. Ky është vlerësimi që ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama, gjatë një takimi me anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së, të zhvilluar sot në qytetin e Pogradecit.

Në fjalën e tij, Rama u ndal në procesin e integrimit të vendit duke theksuar se janë bërë hapa të jashtëzakonshëm në këtë drejtim. Ai vlerësoi dorëzimin e Pyetësorit të Komisionit Europian si një hap mjaft cilësorë, ndërsa ritheksoj punën e madhe që është bërë për liberalizimin e vizave duke u shprehur se heqja e tyre do të bëhet e mundur brenda këtij viti.

“Tashmë edhe faktori ndërkombëtarë e ka vlerësuar këtë progres shumë të madh që Shqipëria ka bërë në të gjitha drejtimet e kërkuara nga Udhërrëfyesi i Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave dhe në të gjitha aspektet është një punë e voluminoze, konkrete dhe është një punë e madhe që ka treguar qartë vullnetin e kësaj qeverie, por dhe vullnetin tonë si Lëvizje Socialiste për Integrim për të garantuar mbajtjen e atij premtimi madhor që i shërben çdo qytetari shqiptarë, që brenda këtij vitit të gjithë shqiptarët të fitojnë të drejtën të lëvizin pa viza në hapësirën Europiane”, u shpreh Rama.

Numri dy i LSI-së u ndal dhe në rolin e kësaj force në qeverisjen e vendit. “Roli i LSI-së ka qenë dhe mbetet si i një force politike konstruktive dhe evropiane”, tha Rama. Sipas tij, është kjo arsyeja që mbështetja qytetare për LSI-në ka ardhur gjithnjë në rritje ,prandaj, tha ai, detyrimi ynë ndaj qytetarëve mbetet i pandryshuar.

Duke folur për procesin e riorganizimit të LSI-së, Rama u ndal në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke theksuar se me efiçencën e LSI-ë në qeverisje kjo forcë ka të drejtë të kërkojë dhe një mbështetje më të madhe nga qytetarët.

“Sfidat janë përpara, kemi zgjedhjet vendore. Në këtë drejtim unë do ju ftoja të gjithëve që të angazhohemi sepse nuk jemi shpejt për këtë sfidë”, u shpreh ai.

m.xh/NOA

KOMENTE