English

“Shqipëria është kulturë", spektakël i jashtëzakonshëm sot në Apolloni

Fier, 09 Maj, NOA, Milena Selimi - Të rinj nga mbarë Shqipëria ishin pjesë e audicionit të muzikës, pikturës, kërcimit, fotografisë, për të fituar Çmimin e Madh për audicionin e evenimentit "Shqipëria është kulturë'', si dhe për t’u bërë pjesë e një turneu në disa kryeqytete të Evropës me destinacion Brukselin në javën e kulturës evropiane. Fituesit kryesorë në mënyrë simbolike do të emërtohen Ambasadorët e Kulturës Bashkëkohore Shqiptare.

Organizatorët kanë menduar një spektakël të jashtëzakonshëm në qytetin e Apollonisë, quajtur ndryshe edhe Nata e Madhe, e cila ka nisur në datën 8 maj, nga ora 21:00 – 6:00 të mëngjesit, ndërsa data 9 maj do të shpallë edhe fituesit në të gjitha gjinitë konkurruese.

Në Apolloninë e Fierit kane nisur përgatitjet, ku dhjetëra çadra gjigante do të vihen në dispozicion të pjesëmarrësve, që do të jenë nën shoqërinë e ushqimit tradicional dhe pijeve tradicionale, si dhe nën shoqërinë e muzikës, këngëve e valleve tradicionale.

Gjatë këtyre katër ditëve 6-9 maj ishin parashikuar gjithashtu edhe aktivitete paralele si : Koncerte të grupeve europiane; Panair eno-gastronomik dhe objektesh artizanale me prezantimin dhe degustimin e produkteve më të mira tipike shqiptare; .Konferenca ndërkombëtare u zhvillua në muzeun e Parkut Arkeologjik të Apollonisë më datat 7, 8 dhe 9 maj 2010. Në datat 10-11, e njëjta konferencë do të transferohet në Tiranë dhe do të mbajë titullin: Turizmi i qëndrueshëm dhe zhvillimi lokal, burimet, strategjitë dhe politikat për Shqipërinë.

Konkursi “Shqipëria është kulture” organizohet me nismën e Universitetit Evropian të Turizmit, në mbështetje me rrjetin e ministrive: MKTRS, Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim me Prefekturën dhe Bashkinë e Fierit dhe Festivalin Ndërkombëtar të Apollonisë.

Të paktën 500 të rinj e të reja, të moshës 16-25 vjeç, ishin pjesë e audicioneve dhe emocioneve për kualifikimin në eventin më të madh kulturor që do të zhvillohet në Apolloni.

Në audicionet që startuan që në muajin janar, në një tur mbresëlënës në qytetet shqiptare, nxënës të shkollave të mesme ishin pjesëmarrës të audicioneve që organizatorët e këtij konkursi zhvilluan në qytetet: Vlorë, Shkodër , Gjirokastër, Durrës, Berat, Sarandë, Korçë, Pogradec, Elbasan, Fier, Lezhë, Peshkopi.

Synimi i organizatorëve ishte një gjithëpërfshirje nga 26 rrethet e vendit, i cili e arriti qellimin, por pati edhe pjesëmarrës nga gjimnazet e Ulqinit, Gjakovës dhe Dibrës së Madhe.

Juria përbëhet nga këta anëtarët: Ardian Marashi, Drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike; Agron Xoxa, studiues, drejtor artistik i spektaklit; Agim Doçi, poet; Kastriot Çipi, regjisor; Agim Duro, këngëtar; Genc Shkodrani, skenograf; Albert Janku, balerin; Magda Pogace, muzikologe, Universiteti La Sapienza, Romë.

“Shqipëria është kulturë” synon të rivlerësojë dhe promovojë trashëgiminë kulturore, në mënyrë të veçantë të parqeve arkeologjike, objekteve mesjetare etj., si pasuri të së shkuarës dhe rezerva potenciale për zhvillimin e ekonomisë lokale, zhvillimit të turizmit vendas e atij të huaj. Nga ana tjetër kërkon të sigurojë pjesëmarrjen konkrete të rinisë në ruajtjen e objekteve historike sipas frymës së “Deklaratës së Sexhestës”, miratuar nga Këshilli Europian në shtator 1995, e cila përkufizon kriteret për “Shpëtimin dhe mirëmbajtjen e qëndrueshme të vendeve antike të spektaklit të vendeve të Mesdheut”;

Ky konkurs në trajtë festivali, që këtë vit realizohet për herë të parë, do të shndërrohet në një traditë të përvitshme, me pjesëmarrje ndërkombëtare. “Shqipëria është kulturë” është një festival që do të shprehë në sinkroni vlerat tradicionale me ato moderne, tek të rinjtë e vendit, ata që përfaqësojnë kulturën e këtij shteti kudo në botë.

m.s/NOA

KOMENTE