English

Nuk mjafton të qenit apolitik

Në fund, ata që zgjidhen duhet të jenë, gjithashtu, juristë të shkëlqyer dhe duhet të kenë një reputacion të rrënjosur si njerëz të pakorruptuar apo të pakorruptueshëm

Nga Robert Bosch*

Në një demokraci moderne, të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë gjyqësorin, duhet të jenë transparente dhe të përgjegjshme.

Transparenca në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe përgjegjshmëria në lidhje me veprimet gjyqësore ndihmon në rritjen e besimit të publikut te gjykatat.

Transparenca e procedimeve gjyqësore – veçanërisht e seancave gjyqësore, vendimeve përbën një element të rëndësishëm të së drejtës për një gjykim të drejtë.

Në ditët e sotme, qëllimi për të informuar sa më mirë publikun nuk mund të arrihet vetëm nëpërmjet seancave të hapura gjyqësore.

Në një kohë kur puna e gjyqësorit luan ‘rolin kryesor’ në sytë e publikut – siç ka ndodhur kohët e fundit – media shërben si një instrument thelbësor për përcjelljen e informacionit.

Nevoja për ruajtjen e të dhënave në lidhje me procedimet gjyqësore ka çuar në ngadalësimin e seancave gjyqësore, duke i kërkuar publikut të jetë i duruar dhe si rrjedhojë duke penguar parimin e një gjykimi të hapur.

Pavarësisht këtyre vështirësive, OSBE-ja ka vëzhguar proceset gjyqësore dhe ka arritur në disa konkluzione.

Siç e kam përmendur në shumë raste në të kaluarën, për të pasur një reformë gjyqësore reale dhe të qëndrueshme, nevojiten ndryshime madhore në kodet e procedurës që drejtojnë punën e përditshme në gjykata.

Për shembull, një ndryshim i rëndësishëm procedural do të ishte që vendimet e gjykatave të zbardheshin shumë më shpejt. Shpesh, vendimet dalin edhe pasi ka kaluar afati për apelim.

Gjithashtu, meqenëse veprimtaria e sotme sponsorizohet edhe nga Shkolla e Magjistraturës, do të doja të thoja disa fjalë për rekrutimin dhe ngritjen në pozitë brenda gjyqësorit.

Është tejet e rëndësishme që në të gjitha emërimet në sistemin gjyqësor të zbatohen standardet më të larta profesionale dhe etike.

Aktualisht, ne po presim një numër emërimesh në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.

Shpresoj që të gjithë personat e përfshirë në procesin e përzgjedhjes do të sigurojnë që individët e përzgjedhur të jenë jo-politikë.

Sidoqoftë, të qenit apolitik nuk mjafton.

Në fund, ata që zgjidhen duhet të jenë, gjithashtu, juristë të shkëlqyer dhe duhet të kenë një reputacion të rrënjosur si njerëz të pakorruptuar apo të pakorruptueshëm.

Sidoqoftë, nuk duhet që fokusi publik aktual në këto emërime të profilit të lartë të na largojë nga proceset e përzgjedhjes në gjykatat e niveleve më të ulëta.

Ngritjet në pozitë brenda sistemit gjyqësor duhet të bazohen në kriteret profesionale dhe etike.

Ndonëse jo të gjitha seancat dëgjimore për këto emërime mund të jenë publike, pasi është e rëndësishme që të kihet parasysh mbrojtja e të dhënave, unë, sidoqoftë, do të nxisja emërimin e gjyqtarëve më të zotë të mundshëm dhe që publikut t’i jepen shpjegime të plota me shkrim për arsyet për të cilat u zgjodhën këta individë.

Z. President, të ftuar të nderuar, meqenëse jemi në ambientet e Gjykatës së Lartë, do të doja të them disa fjalë për anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilëve u mbaron mandati.

Statusi i paqartë i këtyre ish-gjyqtarëve nuk mund të jetë i pranueshëm për askënd.

Është thelbësore që Kuvendi i Shqipërisë të ndërmarrë hapat e nevojshme për të siguruar që ata të cilët kanë shërbyer për nëntë vjet në këtë Gjykatë të jenë të qartë për të ardhmen e tyre.

Këta njerëz nuk mund të kërkojnë punë ndërsa shërbejnë në gjykatë dhe, shumë shpesh, u duhet të marrin vendime që mund të jenë të papërshtatshme me perspektivat e punës së tyre të ardhshme.

Nëse duam seriozisht që kjo gjykatë të prodhojë drejtësi të paanshme, atëherë duhet të sigurohemi, gjithashtu, që anëtarët të cilëve u mbaron mandati të kenë një të ardhme të qëndrueshme profesionale dhe ekonomike.

(*) Fjalimi i Kryetarit të Prezencës së OSBE, Ambasadorit Robert Bosch, në ceremoninë e organizuar nga Gjykata e Lartë me rastin e Ditës së Drejtësisë, 10 maj 2010

Lexoni versionin English Subscribers only

KOMENTE