English

3 Mujori I-Rë 2010/Mbi 153 Mijë Persona Pajisen Për Herë Të Parë Me Librezë Shëndeti

- Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, është rritur ndjeshëm përfitimi nga skema e sigurimeve shëndetësore- TIRANË, 11 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Tremujori i parë i vitit 2010 ka sjellë rritje të konsiderueshme të përdorimit të skemës së sigurimeve shëndetësore. Gjatë kësaj kohe, në këtë skemë janë shtuar 153 mijë persona, ndërkohë që numri i vizitave është rritur me 160 mijë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, pasqyroi të dhënat e rritjes së skemës së sigurimeve dhe pajisjes së personave me librezë shëndetësore gjatë mbledhjes së sotme te Këshillit Administrativ të ISKSH-së. "Gjatë tremujorit të parë të këtij viti janë pajisur për herë të parë me librezë shëndeti 153,050 të siguruar, ndërkohë që ne tre-mujorin e parë 2009 u pajisën 82,043 persona", theksoi ajo. Ndërkohë, po gjatë kësaj periudhe, sipas saj, "janë pajisur me librezë shëndeti 71,007 të siguruar më shumë se gjatë tremujorit të parë të vitit 2009 (ose 86 % më shumë)". Sa i takon përfitimeve nga skema e sigurimeve, gjatë tremujorit të parë 2010 nga mjekët e familjes dhe qendrat shëndetësore të kujdesit parësor janë trajtuar me receta me rimbursim 251,518 pacientë; janë kryer 1,415, 003 vizita dhe për pacientët e siguruar janë plotësuar 804,473 receta me rimbursim. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, të dhënat flasin për një rritje prej mbi 160 mijë vizita më shumë. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, "gjatë 3 mujorit të parë të vitit ka një rritje në vlerë rimbursimi prej 22 % me shumë (në vlerë absolute për 256 milion lekë), krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit 2009". /s.s./
KOMENTE