Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Berisha: Integrimi s’pengohet nga betejat me mullinjtë e erës, që i lexojmë te Servantesi
English

Berisha: Integrimi s’pengohet nga betejat me mullinjtë e erës, që i lexojmë te Servantesi

Tiranë, 11 maj, NOA – “Betejat me mullinjtë e erës janë beteja që shqiptarët i lexojnë dhe do t’i lexojnë tek ‘Don Kishoti’ i Servantesit, por asgjë nuk mund të pengojë ecjen drejt atij objektivi madhor që ata kanë: integrimi në Bashkimin Evropian”.

Kështu u shpreh sot kryeministri Sali Berisha gjatë ceremonisë së inaugurimit të Qendrës së Mbyllur të Emigrantëve të Parregullt, duke theksuar në fjalën e tij se “rruga e Shqipërisë për në Evropë është absolutisht e pandalshme”.

Duke nënkuptuar me fjalët e lartpërmendura nismat ekstreme të ndërmarra së fundmi nga opozita si “beteja me mullinjtë e erës”, kryeministri Berisha la të kuptohet se ajo që paraqet interes për mazhorancën është vetëm çështja madhore e integrimit evropian të shqiptarëve.

Ndërkaq, në fjalën e tij, ai nuk ka harruar të përgëzojë as Policinë e Shtetit, e cila me përgjegjësitë dhe me përmbushjen e detyrimeve të saj ka qëndruar në krye të përpjekjeve për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të Udhërrëfyesit për vizat.

“Janë oficerët e policisë dhe drejtuesit e saj, të cilët në një kohë relativisht të shkurtër, me ndihmën edhe të miqve si qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Komisionit Evropian, kanë bërë që kufijtë e Shqipërisë të pajisen me sistemet më moderne dixhitale të kontrollit të tyre. Ata kanë bërë që Shqipëria të përcjellë mesazhet e përgjegjësisë së lartë dhe të sigurisë së lartë tek të gjithë partnerët tanë, vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, tha ai lidhur me një fakt të tillë.

Më tej, Kryeministri Berisha garantoi të gjithë efektivët e policisë dhe drejtuesit e saj se qeveria shqiptare është e vendosur tu japë mbështetjen maksimale, në mënyrë që ata me profesionalizëm të lartë të përmbushin detyrimet e tyre ligjore, të rrisin gjithnjë e më shumë shkallën e sigurisë në këtë vend, si dhe t’i mbështesë në bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer me policitë e vendeve mike dhe partnere për një luftë më efikase kundër krimit e trafiqeve të të gjitha llojeve dhe për kontrollin e kufijve.

n.e/NOA

KOMENTE