Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ekonomi - Zvicër - Fillon Konferenca E Fmn-Së Dhe Bankës Kombëtare Zvicerane
English

Ekonomi - Zvicër - Fillon Konferenca E Fmn-Së Dhe Bankës Kombëtare Zvicerane

ZYRIH, 11 maj /ATSH-AFP/ - Konferenca për sistemin monetar ndërkombëtar, e organizuar nën drejtimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN, dhe Bankës Kombëtare Zvicerane (banka qendrore, BNS), filloi sot në mëngjes në Zyrih, njoftoi një gazetar i AFP-së në vend. Drejtori i përgjithshëm i FMN-së, Dominique Strauss-Kahn, zëvendëspresidenti i Rezervës Federale Amerikane (Fed) Donald Kohn, presidenti i Këshillit të Stabilitetit financiar FSB, Mario Draghi dhe financieri i famshëm Xhorxh Soros u bashkuan në mëngjes me konferencën në një hotel luksoz të Zyrihut, në veri. Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, BCE, Jean-Claude Trichet, presidenti i Bundesbank Axel Weber dhe ai i BNS-së Philipp Hildebrand figurojnë gjithashtu në programin e ditës. Mbledhja, që pritet të vazhdojë gjatë gjithë ditës, është e mbyllur për publikun dhe në të mund të hyjnë vetëm disa media të përzgjedhura që më parë. Pjesëmarrësit nuk bënë deklarata përpara hapjes dhe ajo pritet të mbyllet me një konferencë shtypi në orën 18:30 (16:30 GMT). Kjo mbledhje zhvillohet ndërkohë që Bashkimi Evropian miratoi gjatë natës duke u gdhirë dita e hënë një plan historik ndihme në bashkëpunim me FMN-në që mund të arrijë deri në 750 miliardë euro për të ndihmuar vendet e zonës euro në vështirësi financiare. Paralelisht me të, pjesa më e madhe e bankave qendrore në botë, ndër të cilët Banka Qendrore Evropiane, BCE, njoftoi masa të bashkërenduara dhe të jashtëzakonshme me objektiv rivendosjen e stabilitetit financiar në zonën euro. Investitorët shqetësohen në veçanti për rastin e Greqisë dhe dyshojnë këto ditë për një përhapje të krizës sidomos në Spanjë dhe Portugali, që do të sjellë rënie të mëdha në Bursa. /I.Pu.
KOMENTE