Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Roland Tasho: Me Unë Flas Në Shqip Në Muzeun Historik Kombëtar
English

Roland Tasho: Me "Unë Flas Në Shqip" Në Muzeun Historik Kombëtar

-Një ekspozitë fotografike me 120 personazhe shqiptare të integruara në Amerikë- TIRANË, 11 Maj /ATSH-Ita Semi/. - Fotografi i njohur Roland Tasho përrreth një vit ka vizituar familjet e komunitetit shqiptar në Amerikë, duke krijuar një album të plotë fotografish me 120 personazhe, mes të cilëve personalitete të njohura të artit dhe kulturës, si dhe njerëz të zakonshëm. Ky album u prezantua sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, në një ekspozitë fotografike të titulluar "I speak albanian", (Unë flas shqip). Përmes kësaj ekspozite e njëkohësisht albumit fotografik Tasho ka synuar të përcjellë tek publiku disa nga portretet e bashkëkombësve tanë, të cilët kanë arritur të konfirmojnë vlerat, aftësitë e tyre edhe në një kontinent tjetër të largët si Amerika. Në këto fotografi Tasho kërkon me ngulm të tregojë se shqiptarët në çdo shtet të Amerikës janë ndjerë si qytetarë të botës së lirë dhe nuk janë përballuar me diskriminimin dhe përçmimin. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, John Withers, i pranishëm në këtë ceremoni, vlerësoi se "kjo është një ekspozitë e shkëlqyer për mua, për ambasadën dhe për gjithë Amerikën. Përgjatë gjithë historisë së popullit shqiptar, shqiptarët e talenteve të ndryshme kanë patur mundësinë të pasurojnë kulturat botërore, duke përhapur kulturën shqiptare në mbarë botën". Ambasadori Withers shtoi në fjalën e tij se "shqiptarët e kanë bërë Amerikën më të madhe, më të sofistikuar e më të ndritur, mjafton të përmendim këtu emrin e Fan Nolit e të Faik Konicës, për të parë kontributin që shqipatrët kanë dhënë në vendin tim". Ndërkohë, ministri i TKRS-ës, Ferdinand Xhaferri, theksoi në fjalën e tij se "që nga koha kur në Shtetet e Bashkuar të Amerikës shkeli shqiptari i parë e deri në ditët e sotme në marrëdhëniet mes vendeve tona ka përvijuar historia e bashkëjetesës dhe marrëdhënieve shumëplanëshe". Fotografi Tasho tha për ATSH-në se "kjo ekspozitë është një vazhdimësi e projektit të tij për të rrëfyer rrugëtimet e shqiptarëve në emigracion. Albumi "Unë flas shqip" vjen menjëherë pas "Urë ndërtuesit", albumit kushtuar emigracionit shqiptar në Zvicër; dhe një tjetri që ishte përgatitur kohë më parë për Italinë". Pas udhëtimit të tij dhe takimeve të gjata me personazhet autori thotë se "shqiptarët kishin gjetur vetveten sepse e tillë është Amerika, e barabartë për të gjithë. Suksesin e shqiptarëve të Amerikës e gjeta në çdo fushë: kishte arkitektë, mjekë, pedagogë, inxhinierë, ekonomistë, artistë dhe shumë të tjerë në pozicione kyçe, falë hapësirës që të krijon jeta në Amerikë". "Unë flas shqip" është ekspozita e dytë e Roland Tashos e sjellë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar për publikun shqiptar në harkun e këtij viti. Roland Tasho ka nisur të fotografojë në vitin 1982. Pas njezet vjet veprimtari si fotoreporter, sot punon si profesionist i lirë. Që prej vitit 1992 ka realizuar më shumë se 40 ekspozita në Shqipëri, Itali, Francë, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Austri, Argjentinë, Greqi e Hungari./s.s./
KOMENTE