Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shkrimtari Orhan Pamuk Së Shpejti Në Shqipëri
English

Shkrimtari Orhan Pamuk Së Shpejti Në Shqipëri

TIRANË, 11 Maj/ ATSH/- Shkrimtari i mirënjohur turk, Orhan Pamuk, fituesi i çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2006, do të vizitojë Shqipërinë më 17-18 Maj 2010, me ftesë të botuesit të tij ekskluziv në gjuhën shqipe, "Skanderbeg books". Kjo vizitë ishte e planifikuar qysh në vitin 2006, me rastin e botimit të romanit të tij të parë në gjuhën shqipe "Unë jam e kuqja", vit kur u shpall fitues i Çmimit Nobel në Letërsi, që u bë edhe arsyeja e shtyrjes në kohë të vizitës së planifikuar. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Orhan Pamuk do të jetë i pranishëm në promovimin e veprës së tij të re të botuar në shqip "Stambolli", që do t'i paraqitet lexuesit shqiptar këto ditë. Pamuk do të jetë i pranishëm në marrjen e titullit "Doktor Honoris Causa" që i jepet nga Universiteti i Tiranës dhe në një sërë takimesh me personalitete të artit, kulturës e politikës shqiptare. Gjithashtu shkrimtari turk Pamuk pritet të flasë ekskluzivisht për lexuesin shqiptar nëpërmjet ekranit. Orhan Pamuk është ndër autorët më të dashur për lexuesin shqiptar. Që prej vitit 2006 veprat e tij kanë qenë në krye të listes së titujve më të shitur në libraritë shqiptare. Gjatë kësaj kohe në gjuhën shqipe është botuar pjesa më e made e veprës së tij, si romanet "Unë jam e kuqja", "Bora", "Kështjella e bardhë", "Shtëpia e heshtjes", "Jeta e re", si edhe libri me ese "Baulja e babait". Këtë vit pritet të botohen edhe romanet "Muzeu i pafajësisë" dhe "Libri i zi", vepra që pothuajse përmbyllin korpusin e tij letrar në shqip. Kush është Orhan Pamuk? I lindur në 7 qershor 1952 në Stamboll, Pamuk është sot një nga shkrimtarët më të njohur të vendit të tij, Turqisë dhe i përkthyer në 34 gjuhë. Në fëmijëri ëndërronte të bëhej piktor, por studioi arkitekturë. Pas kësaj iu dedikua letërsisë dhe në vitin 1977 u diplomua për gazetari në Universitetin e Stambollit, ndonëse asnjëherë nuk e ushtroi profesionin e tij. Mes viteve 1985 dhe 1988 u vendos në Nju Jork ku punoi si profesor i jashtëm në Universitetin Columbia, deri sa u kthye në qytetin e lindjes. Romani i parë i Pamuk u botua në 1982, ndonëse iu desh të priste tre vjet që vepra e tij të njihej në nivel ndërkombëtar me romanin "Astrologu dhe Sulltani". Por, njohja e tij në botë u përcaktua në vitin 1998 me romanin "Unë jam e kuqja", që i vendos ngjarjet në Stamboll në shekullin XVI, kur sundonte Sulltan Murati III. Vepra e tij e fundit, një libër për Stambollin është një autobiografi me të cilin ai dëshmoi plotësisht talentin e tij në letërsi, të shkruash mbi qytetin ku ke jetuar që kur ke lindur, vendosur mbi një memorie perfekte, mbi mendime dhe filozofi, ky është libri "Stambolli, Qyteti dhe kujtime". Pamuk është konsideruar nga kritika i barazvlefshëm me autorë të njohur si argjentinasi Ernesto Sabato, apo italiani Alberto Calvino. Mes çmimeve që ka marrë janë "Libri më i mirë i huaj" në Francë (2002), "Grinzane Cavour" në Itali (2002), "Internacional IMPAC" në Dublín (2003), "Médicis de Francia" (2005) dhe "Çmimin e Paqes" nga Botuesit gjermanë (2005). Pak vite më parë, një gjykatë e Stambollit arshivoi një çështje kundër Pamuk mbi komentet që kishte deklaruar mbi vdekjen e kurdëve dhe armenëve, botuar në gazetën zvicerane "Tages Anzeiger". Ky rast provokoi një valë protestash ndërkombëtare kur shkrimtarët firmosën një deklaratë në mbështetje të Pamuk, duke akuzuar Qeverinë turke për shkelje të të drejtave të njeriut. Por ky intelektual, rolin e tij politik e shikon si një dënim. Gjithnjë ka thënë se është "një shkrimtar që e konsideron politikën si një kompromis të pashmangshëm, por që nuk i pëlqen", "Dua të jem një shkrimtar i lirë", ka thënë më shumë se në një herë Orhan Pamuk. /s.d/
KOMENTE