English

Vazhdon Greva E Urisë E Deputetëve Të Ps-Së

TIRANË, 11 Maj/ATSH/.- Greva e urisë e 21 deputetëve të PS-së dhe 180 mbështetësve të saj, që po zhvillohet prej 11 ditësh në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" përballë selisë së Kryeministrisë, regjistroi sot dhe dy grevistë të tjerë, që u detyruan ta ndërpresin grevën dhe t'i drejtohen Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" për trajtim mjekësor. Sipas një njoftimi për shtyp nga PS, deputeti socialist i qarkut të Kukësit, Asllan Dogjani i ngujuar në grevë, u transportua sot drejt spitalit për shkak të problemeve kardiake, ndërsa më herët ishte Artmir Ahmetaj, grevisti 26 vjeçar nga Tirana, i cili pas shqetësimeve në stomak u përcoll në spital, duke e çuar në 23 numrin e grevistëve, që janë dërguar në QSUT për trajtim të specializuar. Mjeku Sabit Brokaj, që asiston shëndetin e grevistëve, tha për mediat se situata shëndetsore e tyre paraqitet e rënduar. Ai vlerësoi punën e ekipit mjekësor, i cili siç tha ai "punon me vetmohim e nivel profesional shumë të lartë, në zbatim të betimit të Hipokratit". Sipas Brokajt edhe grevistë të tjerë, mbështetës të PS-së, janë në gjendje të rënduar shëndetsore Greva e urisë e deputetëve të PS-së dhe mbështetësve të tyre, e nisur nga dat 1 maj, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", përballë Kryeministrisë, synon plotësimin e kërkesës së opozitës për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit, përmes hapjes së kutive të votimit. /a.s/
KOMENTE