English

Vlorë: Grupi Folklorik Italian, Një Traditë Që Nis Në Vitin 1900

VLORË, 11 maj /ASH-H.Koçi/ - Grupi folklorik "Çitta di Palaginello" i Italisë, është pjesmarrës në "Aulona International Folk Festival 2010" që po zhvilohet pre tre ditësh në Vlorë. Vittorio Corriglione (Vitorio Korrilione), president i grupit, në një prononcim për ATSH-në shprehet se, ansambli që ai drejton përfaqëson një traditë që nisi në vitin 1900. Sipas tij, grupi pati një ndërprerje disa dekadëshe, por u ringrit dhe tashmë po konsolidohet, në vazhdën e një tradite folku që po përcillet në breza, e ndikuar nga tradita napoletane. Në karakteristikën e muzikës dhe të valleve të grupit, veçohet pasqyrimi i jetës dhe ngjarjeve rajonale përmes folkut dhe shpirtit artistik. Elementet jetësore, të ndërthurur me detaje të veçanta, përcillen nëpërmjet artistëve të këtij grupi, i cili është i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Grupi përbëhet prej 40 artistësh. Mjaft prej tyre kanë përvoja shumëvjeçare në jetën artistike, po ka edhe të rinj të sapodiplomuar, që po punojnë me pasion për përçimin e vlerave dhe traditës shpirtërore e kulturore të Provincës së Tarantos. Corriglione thotë se, prej pesë vjetësh grupi është edhe organizator i festivaleve ndërkombëtare të folkut, ku prezantohen ansamble nga vende të ndryshme të botës. "Grupi Folklorik " Citta di Palaginello" synon tashmë jo vetëm të përçojë, por edhe të ruajë të plota vlerat e trashëgimisë së madhe historike dhe kulturore në të gjithë Italinë e Jugut dhe Provincën e Tarantos", shprehet Vittorio Corriglione. "Me shfaqje plot ngjyra dhe dritë, me veshjet e pasura në elemente, synohet harmonizimi i gjithë elementeve jetësore, fshatit tonë, pyjet me pisha, detet tona dhe momente tipike të ditës klasike fshatare. Edhe këngët e vallet synojnë po këtë", shton ai. Sipas tij, grupi Folklorik " Citta di Palaginello", iu rikthye skenës në vitin 1982, me synimin e ruajtjes së traditës së bukur dhe folklorit të pasur të rajonit, duke patur ndihmën dhe mbështetjen e Universitetit të Barit. Në prononcimin e tij, drejtuesi i grupit Italian, vlerëson mikpritjen që gjetën në Vlorë, e cila, sipas tij "e tejkaloi pritshmërinë", ndërkohë që organizimi ishte i lartë. "Ne kemi organizuar vetë aktivitete të tilla dhe e dimë se nuk është aspak e lehtë të arrihet përpikmëria. Shikoj se këtu ka një nivel shumë të mirë organizimi, gjë që na ka lehtësuar mjaft performimin tonë skenik", thekson ai. Corriglione shton se, Vlora është një qytet shumë i bukur, me mundësi në rritje për t'u zhvilluar, ndërkohë që bukuria natyrore është prezente sidomos në pjesën e bregdetit, ku është ngritur edh skena e Festivalit./ch/
KOMENTE