English

Portret - Britani - David Cameron, Reformatori Që I Risolli Konservatorët Në Pushtet

LONDËR, 12 maj /ATSH-AFP/ - Reformatori David Cameron u zgjodh dje kryeministër duke i risjellë konservatorët në pushtet pas 13 vjetësh qëndrimi në pushtet dhe duke arritur sukses atje ku tre pararendësit e tij kanë dështuar, por detyra që e pret duket e vështirë. Pritja do të kishte qenë e gjatë për konservatorët në opozitë që prej vitit 1997. Ata ia detyrojnë ardhjen përsëri në fuqi popullaritetit të kreut të tyre, i cili u bë një nga kryeministrat më të rinj të historisë në moshën 43 vjeç, me disa muaj më pak se laburisti Tony Blair. Përpara daljes në skenë të David Cameron, i cili diti të rinovojë imazhin e vjetëruar të partisë së tij, tre liderë konservatorë, William Hague, Iain Duncan Smith dhe Michael Howard, kanë dështuar përpara Downing Street. Por, kreu i ri i qeverisë nuk mori mandatin popullor që parashikonte. Ai nuk arriti të merrte shumicën absolute në zgjedhjet legjislative, gjë që e detyroi të ndërmerte bisedime të vështira me liberaldemokratët e Nick Clegg, duke shpalosur me këtë rast cilësitë e tij si një negociator i mprehtë. Dje në mbrëmje, mbretëresha Elizabeth i ka kërkuar të formojë qeverinë e re të Mbretërisë së Bashkuar. Shumë shpejt, ai e deklaron hapur konservatorizmin e tij modern dhe zemërdhembshur. Ai largon gardën e vjetër nga partia, sjell më tepër të rinj dhe gra në radhët e kuadrove të saj dhe përcakton një politikë të re për konservatorët me tematika të reja: arsimi, shëndetësia, ambienti. Mediave, u hap dyert për jetën e tij private. Ai e prek opinionin duke folur publikisht në shkurt të vitit 2009 për vdekjen e njërit prej tre fëmijëve të tij, Ivanit, me aftësi të kufizuara dhe epileptik. Popullariteti i tij bëhet edhe më i madh pasi formimit të tij i shtohet imazhi i një njeriu të arritshëm dhe një baba i mirë. Ky popullaritet i jep të drejtën të paralajmërojë publikun për sakrificat e dhimbshme në të ardhmen, për shkak të krizës. Nëse këto 40 vitet e fundit, konservatorët kanë zgjedhur në krye të tyre shefa të arsimuar në shkollë publike dhe me origjinë relativisht modeste, si Margaret Thatcher dhe John Major, përkundrazi ai është arketipi i aristokratit konservator. Ai rrjedh nga trungu i mbretit Guljelm IV (1830-1837) dhe bashkëshortja e tij është vajzë baroni. Lindur më 9 tetor 1966, nga një baba nëpunës në qendër të Londrës dhe një nënë avokate, ai u rrit në fshatin e vogël Peasemore, në Berkshire, në jug. Në vitin 1974, ai hyn në shkollën parapërgatitore që frekuentohej nga princërit Andrew dhe Edward, më tej në vitin 1978 në kolegjin e famshëm privat Eton. Në vitin 1982, ai akuzohet se ka konsumuar kanabis, sipas biografisë së tij të paautorizuar. Duke pranuar se ka bërë gjëra që nuk duhet t'i kishte bërë dhe për të cilat shpreh keqardhjen, ai gjithmonë ka refuzuar t'i komentojë këto informacione, duke sjellë si argument, "të drejtën për një të kaluarë private". Kur hyri në universitetin e Oksfordit në vitin 1985, ai ende nuk pati një interes të moderuar për politikën. Ai u diplomua për filozofi dhe ekonomi në vitin 1988. Ai u bashkua menjëherë me partinë konservatore, falë një ndihme të lehtë nga pallati Bakingam. Për disa kohë ai bëhet këshilltar i kryeministrit John Major për konferencat e tij të shtypit. Më tej, në vitin 1994, ai i kthehet sektorit privat, si "drejtor komunikimi" në kompaninë e medias "Carlton", një post që do t'i mësojë hilet e komunikimit në fushën politike. Pas shumë përpjekjeve, ai zgjidhet në vitin 2001 deputet i Witney, jo larg Oksfordit. Ai voton "pa entuziazëm" për luftën në Irak. Në fund të vitit 2005, ai pati një ngjitje të shpejtë duke zëvendësuar Michael Howard në krye të partisë konservatore. /I.Pu.
KOMENTE