English

Prishtine: Gordon Konfirmon Mbeshtetjen E Vazhdueshme Te Shba Per Kosoven

PRISHTINË, 12 Maj /ATSH-B.Jashari/.-Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike, Philip Gordon konfirmoi sot mbështetjen e vazhdueshme të SHBA për Kosovën, në një takim me drejtuesit më të lartë të vendit. "Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë pranë jush në çdo sfidë me të cilën ballafaqohet Kosova", tha Gordon gjatë takimit me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Komunikata nga Presidenca kosovare thekson se "Gordon konfirmoi mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme të SHBA për Kosovën në të gjitha zhvillimet politike dhe diplomatike". "SHBA asnjëherë nuk pranojnë dhe janë kundër bisedimeve për statusin apo integritetin territorial të Kosovës, sepse Kosova është shtet i pavarur me të gjitha atributet e shtetit", tha në vijim Gordon. Më tej ai shtoi se "Kosova dhe Serbia janë dy shtete fqinje, të pavarura dhe sovrane dhe mund të bisedojnë vetëm mbi këtë bazë". Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi falënderuan Gordon për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i kanë dhënë dhe vazhdojnë t'i japin Republikës së Kosovës. Në takim, mes tjerash, ata theksuan raportet e mira që Republika e Kosovës ka me të gjitha vendet fqinje, përveç Serbisë. Presidenti dhe kryeministri thanë se Republika e Kosovës është e gatshme për të biseduar me Serbinë për një varg çështjesh praktike si, lëvizja e lirë e qytetarëve, luftimi i krimit të organizuar e çështje të tjera, por asnjëherë për statusin e Republikës së Kosovës. /a.ke/
KOMENTE