English

Biznes/ Sarandë: Bostani I Xarrës Tregtohet Në Tregun Europian

SARANDË, 12 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/ - Gjashtë fermerë të komunës së Xarrës, rreth 20 kilometra larg qytetit të Sarandë, janë të parët që hedhin në treg prodhimet e bostanit. Fermeri Kostandin Koça, 47 vjeç, shprehet se sivjet cilësia e prodhimit është e mirë, çmimi ka pësuar ulje, pavarësisht rritjes së shpenzimeve. "Nga 170 lekë/kg që ishte vjet, sivjet bostani do të shitet me 140 lekë/kg", thotë Koça, që shton se bostani i Xarrës piqet më herët nga rajonet e tjera të Ballkanit, zakonisht në fillim të majit, falë klimës së ngrohtë dhe pozicionit të favorshëm gjeografik. "Tregu është i sigurtë. Çdo fillim viti bëjmë kontrata të rregullta me tregtarët nga Kosova, Kroacia dhe Greqia", thotë Koça. Sipas tij, sivjet parashikohet të prodhohet 1200 kv, 200 kv më shumë se vitin e kaluar. Vjet, të gjashtë feremerët e Xarrës u çertifikuan për prodhimet e tyre në tregjet europiane. Dhimo Kote, kryetari i komunës së Xarrës, thotë se pas nënshkrimit të MSA (Marrëveshja e Stabilizimit- Asociimit), detyrimet në këtë fushë janë të mëdha, ndërsa biznesi dhe ekonomia e zonës ka përfitime konkrete nga njohja dhe përdorimi i standarteve europiane në prodhimet bujqësore. "Është e domosdoshme që prodhuesit e bostanit të kenë informacionin e duhur për përfitimet që vijnë nga çertifikimi i produketeve apo shërbimeve që ofrojnë", pohon Kote. "Ky grup prodhuesish në komunën e Xarrës është marrë si modeli i fermerëve më të grupuar dhe më rezultativë në rang vendi", shton ai. Sipas tij, gjashtë prodhuesit e bostanit tashmë janë të pranishëm në disa prej tregjeve europiane. "Këta fermerë kanë të drejtën të eksportojnë drejtpërdrejtë në vendet e Bashkimit Europian, pa ndërmjetësinë e të tretëve", thotë Kote. Ai shton se përfundimi i aksit rrugor Sarandë-Pllakë-Xarrë, ose siç njihet ndryshe "Rruga e biznesit", me gjatësi 7 kilometra, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 2 milionë euro, ka krijuar kushte optimale për transportimin e prodhimeve bujësore. "Komuniteti i fermerëve këtë përmirësim në infrastrukturën rrugore e ndjen drejtpërdrejtë", thotë Kote, që është njëherësh edhe pjesë e biznesit të kësaj zone. Aleks Buzuka, 53 vjeç, ekonomist, është një nga gjashtë fermerët që ka përfituar nga nënshkrimi i MSA. Ai tregon se eksporti i bostanit sivjet është lehtësuar dhe prodhimet tyre kanë shumë avantazhe konkurruese në tregjet lokale, rajonale e ndërkombëtare. "Çertifikimi i bostanit i ka dhënë fund manipulimeve. Dy vjet më parë tregëtarët nga rajoni eksportonin prodhimet tona dhe më pas i importonin me siglën e tyre duke vjedhur kështu emrin tonë", tregon Buzuka. Buzuka thotë se bashkimi i sipërfaqes së tokës me pesë fermerët të tjerë, ka rritur ndjeshmë prodhimit dhe ka ulur shpenzimet, pavarësisht rritjes së menjëherëshme të naftës. "Jam i bindur se sivjet do të përfitojmë më shumë të ardhura, pasi bashkimi i sipërfaqes së tokës na ka dhënë mundësi të prodhimet tona t'i administrojnë më mirë", shprehet ai. /ch/
KOMENTE