English

Pd Akuza Ramës Për Bllokimin E Shërbimit Shëndetësor Në Grevën E Urisë

TIRANË, 13 Maj /ATSH/ - Partia Demokratike (PD) akuzoi sot kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se ka bllokuar shërbimin zyrtar shëndetësor në grevën e urisë, duke e trajtuar kampin e vendosur në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" si një bodrum, ku nuk lejohet të hyjnë as punonjësit e shëndetësisë. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, tha se "ky akt i bllokimit të shërbimit zyrtar shëndetësor në çadrat e burgut Rama- Ruçi është një dhunim flagrant i të drejtave ndërkombëtare, i Konventës së Gjenevës dhe vendimeve të Strasburgut mbi trajtimin e të burgosurve, robërve dhe grevistëve të urisë". Mëhilli shtoi se "ky akt dëshmon qartë dhe përfundimisht se pinjollët e rinj të bllokut janë të gatshëm të mos përfillin asnjë ligj, asnjë normë, asnjë standard të një vendi të lirë dhe me atë që po u rezervojnë sot për qëllime personale skllevërve të tyre u kujtojnë të gjithë qytetarëve izolimin e plotë që etërit e tyre i bënë shqiptarëve për gjysëm shekulli me radhë". Duke dënuar moslejimin e shërbimit zyrtar shëndetësor në grevën e urisë që 21 deputetë dhe mbështetës të PS-së po zhvillojnë prej 13 ditësh në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", Mëhilli nënvizoi se "shqiptarët e kuptojnë që Rama ke frikë të hapë fletët e çadrave për punonjësit e shëndetësisë dhe shërbimeve sanitare, të cilët i ka zëvendësuar me militantë fanatikë duke shkelur kështu çdo kod etik dhe moral". /gj.m/s.s./
KOMENTE