English

Sport-Futbol/ Hamdi Salihi, Tre Gola Në Ndeshjen E Fundit Të Sezonit

TIRANË, 13 Maj/ATSH-Gjergji Mima/-Sulmuesi shqiptar, Hamdi Salihi, ka qenë heroi i ndeshjes për Rapidin e Vjenës në fitoren 3-1 të arritur sot në fushën e SV Mattersburg në prani të 15000 shikuesve. Salihi ka qenë përsëri titullar, ashtu si në ndeshjen e kaluar, ku shënoi një gol, por kësaj radhe shkodrani ka gjetur tre herë rrjetën në 83 minuta loje. Salihi ka kërkuar më shumë minuta dhe trajneri Peter Pakult i ka dhënë një tjeter shans si titullar në sulm së bashku me Jelaviç dhe sulmuesi shqiptar nuk e ka zhgënjyer. Golin e parë Salihi e shënoi që në minutën e 17-të. Një pasim në zonë nga Jelaviç dhe Salihi ndërhyn më shpejtë se portieri Bliem, duke i dhënë avantazhin Rapidit. Vendasit barazojnë rezultatin në pjesën e dytë me Doleschal, por në minutën e 68-të është përsëri Salihi që shënon. Në minutën e 81-të Salihi kompleton tregolëshin e tij. Një kros nga Kulovits dhe shkodrani gjuan me kokë, duke çuar edhe një herë ne rrjetë topin. Pas golit të tretë trajneri Pakult e zëvendesoi me Gartler. Rezultati nuk ndryshon dhe Rapid merr tre pikët e plota në ndeshjen e fundit të kampionatit. Me tre golat e shënuar sot Salihi arrin në kuoten e 15 golave në 23 ndeshje të luajtura këtë sezon me Rapid Vienën. Por ai ka shenuar edhe 2 gola në 6 ndeshje me SV Ried, duke e çuar në 17 totalin e golave në sezonin 2009/10. Në përfundim të kampionatit Salihi renditet i pesti në listen e golashënuesve të Bundesligës austriake dhe i treti për Rapid Vienën. Rapidi Vjenës në përfundim të kampionatin u rendit në vend të tretë me 73 pikë, pas FC Red Bull Salzburg (76 pikë) dhe FK Austria Viena (75 pikë). Tani Rapidi do të marrë pjesë në raundin e dytë të Ligës Evropiane, aty ku do të jetë edhe Besa e Kavajës, fituesja e Kupës së Shqipërisë./s.s./
KOMENTE