English

Volonte: Rama po vepron në kundërshtim me KiE, po skualifikon opozitën

Tiranë, 13 maj, NOA - Presidenti i Partive Popullore në Këshillin e Europës, Luca Volonte i cilësoi si të papranueshme sjelljet e Kryetarit të PS-së dhe hyrjen e deputetëve të grevë urie.

“Veprimet e Ramës janë kontradiktore me ato që i ka kërkuar Këshilli i Europës” tha President i EPP në Këshillin e Europës dhe anëtar i Komitetit Presidencial të Asmblesë Parlamentare të KiE-së gjatë një takimit të zhvilluar sot me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Duke u ndalur në situatën më të fundit në Shqipëri, Volonte u shpreh se opozita nuk ka arsye për të marrë veprime ekstreme.

“Veprimet e zotit Rama në këto muajt e fundit janë krejtësisht të pajustifikueshme. Rama po gabon dhe në planin institucional, pasi po jep përgjigje kontradiktore me çka i ka kërkuar KiE. Asambleja parlamentare ka thënë që, debati behet në parlamentet dhe bojkoti është i papranueshëm. Iniciativa e grevës së urisë është në kundërshtim me atë që ka deklaruar se do të bëjë”, u shpreh për mediat Volonte

Me tone të ashpra ai ju përgjigj pyetjes për strategjinë e re të PS-së që ka të bëjnë me bllokimin e rrugëve.

“Ideja për të bllokuar qarkullimin rrugor në Tiranë dhe për të bllokuar qarkullimin në qytete të tjera është kundër çdo norme civile që ekziston në të gjitha vendet demokratike”, tha ai.

Ai theksoi se mënyra sesi po reagon opozita e skualifikon atë, në rast se nuk tregon përgjegjshmëri.

“Kjo që po ndodh skualifikon totalisht opozitën. Unë shpresoj që Edi Rama dhe Partia Socialiste të tregojnë sens përgjegjësie, të ndjekin udhëzimet e dhëna nga Këshilli i Europës, të vijnë në parlament jo vetëm ndonjëherë, por të kontribuojnë në përpjekjet e gjithë vendit për integrim”, tha Presidenti i EPP.

Ironike dhe qesharake e ka cilësuar përfaqësuesi i KiE-së faktin që vet kryetari i PS-së nuk ka hyrë në grevë urie.

“Kjo është grevë urie, e cila më thonë se as nuk ka lidhje me Ramën. Pra ai i ka futur të tjerët në grevë urie dhe vetë, bashkë me disa krerë të partisë, nuk ka hyrë në grevë. Kjo është diçka qesharake. Kjo mënyrë sjellje është sterile, pa rezultat, që prodhon probleme të mëdha për qytetarët, ashtu siç mund të prodhojë dëme të mëdha ndërkombëtare. Nuk besoj se do i shërbejë as për publicitet Ramës, duke parë se janë përpara zgjedhjet e ardhshme lokale”, u shpreh ai për mediat.

Nga ana tjetër Kryetarja e Kuvendit i shprehu Volonte vlerësimin për Këshillin e Europës. Ajo tha se, “ne mbështesim tërësisht deklaratat e Komitetit Presidencial, si dhe deklaratën e Byrosë së Këshillit të Europës bërë para pak ditësh për Shqipërinë”.

m.xh/NOA

KOMENTE