English

Britani E Madhe - Një Deputet Laburist Sulmohet Me Thikë Nga Një Grua

LONDËR, 14 maj /ATSH-ANSA/ - Deputeti laburist dhe ish-nënsekretari i Thesarit në qeverinë e Gordon Brown, Stephen Timms, është sulmuar me thikë në zyrën e tij dhe është transportuar menjëherë në spital ku gjendja shëndetësore nuk paraqitet e rrezikshme për jetën. Një grua 21 vjeçare është arrestuar, deklaroi një zëdhënës i partisë Laburiste. Agresioni ndodhi në zyrën e zonës së tij elektorale. Policia njoftoi se deputeti është goditur dy herë me thikë në stomak, por konfirmoi se jeta e tij nuk është në rrezik. Mjekët e Spitalit Royal London i cilësojnë si të qëndrueshme gjendjen e tij shëndetësore. Timms është i ndërgjegjshëm dhe ka pritur vizita. Ish-nënsekretari po takohej me qytetarët në Librarinë Beckton Globe të qytetit Newham, siç bëjnë normalisht deputetët në zonën që përfaqësojnë. Ende nuk është sqaruar motivi i veprimit të gruas së re. Timms, i rizgjedhur në zgjedhjet e fundit, ka qenë shumë pranë ish-kryeministrit Brown dhe ish-kancelarit të Thesarit, Alastair Darling, gjatë 13 viteve të fundit. Ai është marrë shpesh herë me luftën kundër krimeve me armë të ftohta në zonën e tij elektorale, një nga më të vështirat në zonën metropolitane të Londrës. /e.v/
KOMENTE