English

Imami: Bashkëpunim I Frytshëm Me Italinë

- Gjatë ceremonisë së dhurimit të disa ndihmave për Forcat e Armatosura Shqiptare nga Italia- TIRANË, 14 Maj/ATSH/- Në Batalionin Xhenier të Brigadës së Mbështetjes Rajonale në Tiranë u zhvillua sot ceremonia e dorëzimit të disa urave tip "Bejli", dhuruar nga ushtria italiane, nëpërmjet Delegacionit Italian të Ekspertëve (DIE). I pranishëm në këtë ceremoni, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shprehu mirënjohjen për qeverinë italiane dhe Forcat e Armatosura të Italisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e frytshëm që kanë me Shqipërinë në të gjitha fushat. "Me Italinë mike, kemi një bashkëpunim të gjatë e të frytshëm, si në baza bilaterale dhe tashmë edhe si aleatë në NATO. Italia i është gjendur pranë Shqipërisë në vitet e tranzicionit, ku veçanërisht mbështetja e saj ka qenë e madhe për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, tha Imami. Ministri Imami e cilësoi evenimentin e sotëm një ngjarje tjetër që tregon bashkëpunimin midis FA Italiane dhe FA Shqiptare, si dhe një pjesë e mbështetjes konstante të ofruar prej vitesh nga pala italiane. Duke e vlerësuar si të vecantë simbolikën e ceremonisë, Imami tha se në gjuhën e përbashkët të të gjithë popujve, urat janë simbol lidhjeje e miqësie. Pjesmarrës në këtë ceremoni ishin ambasadori italian në Tiranë, Saba D'Elia, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral brigade Maksim Malaj etj. Sasia e urave "Bejli", dhuruar së fundi prej 500 metra linear, është në vijim të "Projektit 203", i cili ka filluar të zbatohet që në vitin 1999. Po këtë vit u realizua edhe trajnimi i parë i personelit që do të merret me drejtimin e operacioneve për montimin e urave të këtij lloji në vendin tonë. Në janar të viti 2000, pas dëmtimit nga erozioni që pësoi ura beton-arme në Mullet të Tiranës, u realizua montimi i saj me materiale të dhuruar nga ushtria italiane, duke vijuar më pas me ngritjen e urave të tilla në Pezë, Burrel, Bogovë, Shkodër, Kukës, Mirditë, Elbasan, Librazhd, Fier, Skrapar, Vlorë, Sarandë etj. Montimi i urave ka lehtësuar ndjeshëm komunikimin e banorëve, kryesisht në zonat rurale duke ndikuar dhe në zhvillimin ekonomik të tyre. Ngritja e urave, në mënyrë simbolike ka sherbyer si ura komunikimi, jo vetëm mes banorëve, por janë shembulli më domethënës i lidhjes dhe bashkëpunimit midis Forcave tona të Armatosura dhe komunitetit. /a.m//a.ke/
KOMENTE