English

Kukës, Krrt Miraton Lejen E Ndërtimit Të Një Hidrocentrali Në Luginën E Valbonës

KUKËS, 14 Maj/ATSH-R.Hoxha/.- Këshilli i Rregullimit të Territorit i Qarkut të Kukësit miratoi dje studimin urbanistik dhe lejen e ndërtimit të një hidrocentrali lokal në luginën e Valbonës, në rrethin e Tropojës. Ndërtimin e këtij hidrocentrali e ka marrë përsipër shoqëria aksionere "Tpla", e cila ka lidhur kontratën me ministrinë e Ekonomisë. Kryetari i KRRT-së së Qarkut, Shefqet Bruka, bëri të ditur se hidrocentrali që do të ndërtohet ka një kapacitet prej 2300 kw/orë. Kostoja e ndërtimit të tij arrin në rreth 274 milionë lekë dhe parashikohet që ndërtimi i tij të përfundojë brenda dy viteve. Qarku i Kukësit ka pasuri të mëdha ujore për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël. Kështu ka nisur puna nga kompania "Europ Energy Group shpk" për ndërtimin e 5 hidrocentraleve të vegjël në pellgun e lumit 'Luma', fuqia e të cilave arrin në 25 mega, duke mundësuar prodhimin e rreth 120 milionë kilovat orë në vit. Ndërsa kostoja e ndërtimit të këtyre 5 hidrocentraleve kap një vlerë prej mbi 35 milionë eurosh dhe përfundimi i punimeve parashikohet të bëhet brenda 3 viteve. Pozitive është së ndërtimi i këtyre hidrocentraleve përgjithësisht nuk dëmton tokën bujqësore, pasi shfrytëzohet shtrati i lumenjve për vendosjen e tubacioneve. Po ashtu, në afërsi të urës së Lapajve, afër fshatit Bushtricë, po ndërtohet edhe një hidrocentral tjetër nga firma "Gjoka - Spahiu", me një kosto prej 12 milionë eurosh dhe kapacitet prodhimi të energjisë elektrike prej 12 megash. Sipas studimeve të kryera nga specialistët, vetëm në zonën e grykës së Vanave, veç 5 hidrocentraleve që kanë nisur të ndërtohen, janë mundësitë të ndërtohen edhe 5 hidrocentrale të tjera. Ndërsa deri tani janë ndërtuar dy hidrocentrale lokale, njëri prej të cilëve punon prej disa vitesh dhe është marrë me koncesion nga firma italiane "Esenxheka". Ndërkohë, në Qarkun e Kukësit janë edhe 10 hidrocentrale të vegjël të ndërtuar në fillim të viteve '70 e që funksionojnë pjesërisht për shkak të amortizimit të tejskajshëm, prej të cilëve 7 në rrethin e Tropojës, një në rrethin e Hasit (në Domaj) dhe 2 në rrethin e Kukësit (në Bicaj dhe Orgjost). /s.s./
KOMENTE