English

Kryetari i një komune në Korçë arrestohet për ryshfet

Korçë, 16 maj NOA - Nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë, sot u finalizua operacioni “Rryshfeti”, ku në përfundim të tij u bë arrestimi në flagrancë i 42-vjeçarit Gjergji Buzo, banues në lagjen nr.2 Pogradec, me detyrë Kryetar i Komunës Trebinjë, Rrethi Pogradec, raporton korrespondentja e agjencisë NOA.

Policia tha se arrestimi i Buzos u krye pasi në ngarkim të tij ka filluar çështja për veprën penale “Korrupsion Pasiv i Funksionarëve të Lartë ose të Zgjedhurve Vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

”Nga një punë e mirëorganizuar e Seksionit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë u bë arrestimi i Gjergji Buzos, i cili u kap në flagrancë me një sasi lekësh, të cilat i kishte marrë në shkëmbim të një favori”, - i thanë agjencisë NOA, burime zyrtare policore.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sasia prej 70.900 lekë të rinj (me prerje:13 x 5000 pesëmijë, 5x1000 njëmijë, 1 x 500 pesëqind dhe 2 x 200 lekë të rinj).

Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi është sekuestruar edhe pistoleta tip TT-54 (me leje) e po ashtu u sekuestrua dhe një telefon celular.

a.f/NOA

KOMENTE