English

Durres: Vazhdon Moti I Paqendrueshem, Permiresohen Kushtet Detare

DURRES, 17 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Moti i paqëndrueshëm me reshje lokale dhe erë të fortë do të mbizotërojë edhe sot në gjirin detar të Durrësit, ndërsa kushtet detare krahasuar me 48 orët e fundit kanë nisur të përmirësohen, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit më të madh të vendit. Në orët e para të mëngjesit kanë mbërritur nga porti i Barit (Itali) dy tragete me kamionë dhe udhëtarë, ndërsa për shkak të detit të trazuar, natën e kaluar nga Durrësi drejt Barit janë nisur vetëm dy nga katër tragetet e parashikuar. Burimet bënë të ditur se dy tragete dhe një pjesë e anijeve tregtare kanë qëndruar në radën e portit të Durrësit për arsye sigurie. Valëzimi sot nuk e kalon forcën 3 brenda gjiut detar, thanë burimet, sipas të cilave, gjatë ditës kushtet detare do të përmirësohen edhe më tej. Dy ditët fundit gjiu detar i Durrësit u përfshi nga stuhi dhe shtërngata shiu, ndërsa deti me forcë 7 shkaktoi daljen në cektinë të një anije tregtare. /a.ke/
KOMENTE