English

Presidenti Topi Nderohet Me Titullin "Simbol I Vlerave Humane"

- Ne diten Kombetare ne Ndihme te Jetimeve - TIRANE, 18 Maj/ATSH/. - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u nderua sot me titullin "Simbol i Vlerave Humane" ne veprimtarinë e organizuar me rastin e 20 Majit, Ditës Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve. Sipas Zyres se Shtypit te Presidences, pas falenderimeve për përkujdesjen e veçantë të Presidentit të Republikës në organizimin e kësaj veprimtarie, drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani, i dorëzoi Presidentit Topi titullin "Simbol i Vlerave Humane", në shenjë vlerësimi dhe respekti të madh për gjithë mbështetjen që Kreu i Shtetit ka dhënë për sensibilizimin e shoqërisë për përkushtim dhe vëmendje ndaj nevojave të komunitetit të jetimëve shqiptarë. Në motivacionin e këtij titulli nderi çmohet Presidenti i Republikës, Bamir Topi "Për merita të veçanta, si mbrojtës, frymëzues i denjë, mbështetës aktiv i aspiratave të njerëzve të varfër dhe të pambrojtur, për mesazhe të qarta dhe kontributin e tij të çmuar në krye të shtetit për krijimin e një klime të shëndetshme dhe paqeje të gjerë sociale, në dobi të shtresave në nevojë, veçanërisht të fëmijëve jetimë". Për këtë nderim, Presidenti Topi iu drejtua të pranishmëve në sallë me fjalët: "Unë e ndiej që nuk ka të krahasuar, misioni i pedagogëve, edukatorëve, institucioneve, ndërsa pjesa ime është shumë modeste, është pjesë e këtij angazhimi institucional, por në radhë të parë njerëzor për këtë kategori fëmijësh, për të cilët, e gjithë shoqëria duhet të jetë e ndjeshme. Gjithsesi, unë ju falenderoj pamasë për gjestin e mirënjohjes, sepse mirënjohja është institucion dhe së pari, kjo mirënjohje kur vjen nga kjo kategori fëmijësh, shumëfishohet". Presidenti dha urimet e tij më të mira për këtë ditë, por edhe apelin e tij për më tepër angazhim më të madh të gjithë shoqërisë shqiptare në mbështetje të integrimit të plotë dhe të barabartë të këtyre fëmijëve në jetën dhe zhvillimin e vendit. /a.ke/
KOMENTE