English

Tajlandë - "Amnesty" Akuzon Ushtrinë Për Goditje Me Plumba Të Vërtetë

BANBKOK, 18 maj /ATSH-AFP/ - Organizata "Amnesty International" akuzoi sot ushtrinë tajlandeze se ka qëlluar me plumba të vërtetë mbi persona të paarmatosur dhe që nuk përbënin rrezik, gjatë operacionit të ndërmarrë kundër "këmishëkuqve" dhe që ka shkaktuar 38 të vdekur që nga dita e enjte. "Ushtarët kanë përdorur në mënyrë të pamatur armë vdekjeprurëse përballë manifestuesve antiqeveritarë që mbajnë të pushtuar një lagje të Bangkokut që prej 3 prillit", shprehet organizata me bazë në Londër. "Disa dëshmi dhe imazhe tregojnë qartë se ushtarakët kanë qëlluar me plumba të vërtetë mbi persona që nuk ishin të armatosur dhe që nuk përbënin asnjë rrezik për ushtarët ose për të tjerët", kritikon Benjamin Zawacki, specialist për Tajlandën në organizatë. "Kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave themelore të njeriut, e drejta për jetën", shton ai në një komunikatë. Situata ka filluar të rëndohet kur ushtria tajlandeze filloi të enjten në mbrëmje një operacion të gjerë për izolimin e zonës së pushtuar nga mijëra "të kuq". Tridhjetë e tetë persona, të gjithë civilë, me përjashtim të një ushtari dhe një gjenerali rebel, janë vrarë dhe 279 të tjerë janë plagosur, njoftojnë skuadrat e ndihmës. Zëvendëskryeministri Suthep Thau gsuban u shpreh sot se "zyrtarët e sigurisë nuk do të qëllojnë mbi civilët". "Ata që qëllojnë janë terroristë dhe forcat e sigurisë e bëjnë këtë vetëm në situatë mbrojtjeje legjitime", dekaroi numri dy i qeverisë. /I.Pu.
KOMENTE