English

Alarmi në QSUT, 400 raste me kancer në mëlçi

Tiranë, 19 maj, NOA - Shqipëria po shton numrin e të prekurve nga hepatitet virale B e C çdo vit duke u konsideruar një vend me prevalencë të konsiderueshme për shkak të shifrës së lartë të pacientëve.

Të dhënat më të fundit nga spitali infektiv në Tiranë thonë se 6 deri në 8 për qind e popullatës rezulton e prekur nga hepatiti B, por shqetësuese paraqitet rritja e të infektuarve me hepatit C.

Sipas mjekut infeksionist Arjan Harxhi, hepatiti C është më i pranishëm në grupopullatën e cilësuar si e rrezikuar, siç janë, “përdoruesit e drogave, të burgosurit, homoseksualët si dhe pacientët që kryejnë shumë transfuzione”.

Në pavionin e gastrohepatologjisë në QSUT paraqiten çdo vit 600 pacientë që kërkojnë ndihmë mjekësore. Sipas shefit të pavionit, Jovan basha, “400 prej tyre rezultojnë me sëmundje kronike të mëlçisë e shkaktuar prej hepatitit C”.

Mjekët thonë se shumë persona në Shqipëri mund të jenë mbartës të hepatiteve, por duke qenë se sëmundja nuk shkakton dhimbje, por evolon ngadalë, pjesa më e madhe e pacientëve e kapin atë në stade të vonshme rreth moshës 40 vjeç, kur janë në kulmin e aktivitetit fizik.

Barnat e reja të cilat janë shumë të shtrenjta do të ndihmonin për t’i riaktivizuar këta pacientë të cilët nuk kanë fatin të shërohen plotësisht nga sëmundja por mund të rrisin cilësinë e jetës së tyre.

Apeli i mjekëve në këtë ditë ka qenë depistimi i popullatës dhe paraqitja sa më shpesh te mjeku specialist për të kryer analizat të cilat vërtetojnë nëse je mbartës ose jo i hepatiteve.

b.a/NOA

KOMENTE