English

Fier: Policia, Takim Sensibilizues Kundër Kultivimit Të Bimëve Narkotike

FIER, 19 maj /ATSH -Rr.Isufaj/ - Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier ka ndërmarrë një fushatë të gjerë sensibilizuese për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. "Qëllimi ynë është që luftën kundër narkotikëve ta fillojmë që në embrion, që në fazën e kultivimit,"-u shpreh Shefi i Sektorit të Luftës kundër Drogës në DPQ Fier, Gramoz Cjapi. Në bashkinë e Fierit u zhvillua të mërkurën një takim me pjesëmarrjen e drejtuesve të departamenteve si dhe të drejtuesve të njësive administrative, në lidhje me këtë temë. Sipas Cjapit, Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier ka hartuar një program të posaçëm për parandalimin dhe luftimin e kultivimit dhe trafikimit të bimëve dhe lëndëve narkotike. "Jemi në kohën më optimale të kultivimit të bimëve narkotike, ndaj dhe kemi hartuar grafikun e takimeve sensibilizuese, për t'i thënë stop bimëve vrasëse që në embrion," tha Cjapi. Cjapi tha se, lufta kundër narkotikëve nuk mund të jetë e suksesëshme pa përfshirjen masive të të gjithë komunitetit dhe strukturave shtetërore dhe shoqërore. "Kultivimi, tregtimi, përpunimi dhe përdorimi i lëndëve narkotike është një sëmundje fizike dhe morale që vret gjithë shqërinë, ndaj për luftimin me sukses të saj, duhet angazhimi i plotë i shoqërisë dhe jo vetëm i strukturave të posaçme kundër krimit," tha Cjapi./ch/
KOMENTE