English

Koalicioni në krizë, BDI në pritje të përgjigjes nga VMRO-DPMNE

Tiranë, 19 maj, NOA - Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) është në pritje të qëndrimeve të qarta të VMRO-DPMNE lidhur me tre propozimet e bëra për tejkalimin e krizës brenda qeveritare.

Zyrtarë të BDI-së theksojnë se Ali Ahmeti tanimë ka bërë të qartë tre kërkesat në adresë të partnerit të koalicionit dhe se ato janë: rasti i Sopotit, statusi i veteranëve të UÇK-së si dhe rastet e Hagës.

Zëdhënësja e BDI-së, Ermira Mehmeti ka theksuar për agjencinë e lajmeve “INA” se nuk ka ndonjë qëndrim konkret lidhur me zërat për krizë në koalicion.

“Nuk kemi qëndrim të prerë rreth kësaj, por kryetari Ahmeti ka depozituar tre qëndrime politike për zgjidhje. Ne presim që VMRO-DPMNE të reflektojë dhe presim një vullnet të mirë dhe një gatishmëri për zgjidhjen e këtyre problemeve”, ka theksuar Ermira Mehmeti, duke shtuar se subjekti i tyre politik nuk ka qëndrim të prerë lidhur me bashkëqeverisjen me VMRO-DPMNE-në.

Në radhët e BDI-së theksuan se janë formuar grupet e punës për të shqyrtuar kërkesat e BDI-së, ndërsa një gjë e tillë nuk është mohuar as edhe nga tabori i VMRO-DPMNE-së. Pas kthimit të kryeministrit Gruevski nga Samiti i BE-së në Madrid, pritet të ndodhë edhe takimi i shumë paralajmëruar midis tij dhe kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.

NOA-INA

KOMENTE