English

Malajzia Do Të Vazhdojë Mbështetjen Për Kosovën

PRISHTINË, 19 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri i Malajzisë, Dato' Sri Mohd Najib Tun Abdul Razak, konfirmoi sot, gjatë një takimi me Presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, vullnetin e plotë të vendit të tij për t'i intensifikuar marrëdhëniet e bashkëpunimit me Kosovën. "Ne e kemi njohur Republikën e Kosovës dhe do të vazhdojmë mbështetjen tonë për vendin tuaj", theksoi Kryeministri i Malajzisë. Po ashtu, ai ripërsëriti vendosmërinë për të mbështetur përpjekjet e Republikës së Kosovës për të siguruar njohje të reja, sidomos nga vendet e Azisë Juglindore, në të cilat Malajzia natyrshëm ka influencën e saj, bëri të ditur zyra e Presidentit kosovar. Pasi e falënderoi Kryeministrin Dato' Sri Mohd Najib për ftesën në Forumin e gjashtë Islamik Ekonomik Botëror, ku po merr pjesë, Presidenti Sejdiu rikujtoi se Kosova ka përjetuar shumë tragjedi, por populli i Kosovës është i vendosur të shikojë përpara dhe të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet në rajon. Në këtë kontekst, duke folur për marrëdhëniet me vendet fqinje, Presidenti Sejdiu tha se "ne na vjen keq që Serbia ende nuk po mundet të shkëputet nga logjika e vjetër e dominimit ndaj të tjerëve, e cila pati si pasojë tragjedi të shumta në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe së fundi në Kosovë". Presidenti Sejdiu pohoi se Kosova dëshiron të ketë bashkëpunim sa më të mirë edhe me vendet e tjera të botës, duke përfshirë edhe vendet e Azisë Juglindore, ndaj dhe kërkoi mbështetjen e Malajzisë në këtë proces. Kryeministri Dato' Sri Mohd Najib dhe Presidenti Sejdiu u shprehën se janë krijuar rrethanat e përshtatshme për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes të dy vendeve dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Po ashtu, ata theksuan edhe rëndësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dyja vendeve dhe nxitjen e kontakteve të bizneseve të dyanëshme. Presidenti Sejdiu theksoi se i ka bërë ftesë investitorëve nga Malajzia që të investojnë në Kosovë ku ka mundësi të mëdha, duke patur parasysh burimet e pashterrshme minerale të Kosovës. /s.s./
KOMENTE