English

Nevoja për të mbajtur gjallë frymën opozitare

Socialistët kanë vendosur të vazhdojnë grevën e tyre të urisë edhe pas përkeqësimit të një pjese të madhe të grevistëve. Grupi parlamentar i kësaj partie, i cili ka marr sot vendimin, nuk ka saktësuar nëse kjo grevë duhet të ndërpritet dhe të rinis një e re. Paralelisht me këtë qeveria po përpiqet të dekurajoje mbështetësit e opozitës duke arrestuar ata që kane marrë pjesë në protesta

Nga Mero Baze*

Opozita shqiptare po përballet me pasojat shëndetësore dhe fizike që vijnë nga tejzgjatja e krizës politike në vend, pasi dhjetëra grevistë të urisë po dërgohen çdo orë në spital në gjendje kritike. Situata e cila rëndohet nga çasti në çast, natyrisht që ka futur në vështirësi lidershipin e opozitës rreth marrjes së një vendimi teknik për vazhdimin e protestës.

Vendimi i grupit parlamentar socialist, është vendim politik, i cili garanton vazhdimin e grevës dhe protestave në rrugë. Por përballë opozitës tanimë gjenden dy mundësi teknike për ta vazhduar grevën.

E para është që të zëvendësohen grevistët e larguar për arsye shëndetësore. Edhe pse e gjitha është thjesht një veprim taktik, në thelb ajo zbeh vlerat dhe sakrificat e grevistëve që hynë në grevë urie më 30 Prill.

Sakrifica e tyre njerëzore dhe qëndresa në bulevard për 19 ditë ka lënë gjurmë të forta në politikën shqiptare dhe i ka dhënë një leksion të ashpër arrogancës së qeverisë. Njerëzit që kanë sakrifikuar në këtë grevë, kanë fituar mbështetje popullore dhe kanë shërbyer si bërthamë e një proteste të pandërprerë për gati 19 ditë.

Greva e tyre meriton të përfundojë si grevë e tyre. Ata duhet të qëndrojnë aty deri në një moment kritik dhe ta mbyllin grevën pa u përzierë me mbështetës të tjerë. Mundësia e dytë teknike, ajo e një greve të re pas mbylljes së këtij cikli është më dinjitoze.

Kur grevisti i fundit të lërë çadrat në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, opozita mund të vendosë të përshkallëzojë protestën me një grevë të re, me kërkesa më radikale dhe natyrisht me një kualitet të ri. Vala e re e grevës së urisë ka kuptim për aq kohë sa ka vendosmëri për të bërë betejë për transparencë e zgjedhjeve dhe kërkesat e tjera që opozita parashtroi publikisht.

Nëse opozita radikalizon qëndrimet e saj, nëse kërkon zgjedhje të parakohshme dhe jo më hapje kutish apo komision hetimor, atëherë ajo duhet të kalojë në një plan protestash popullore, duke çuar vendin drejt mosbindjes civile.

Nëse kalohet në këtë fazë, greva e urisë nuk ka më kuptim, pasi ajo e ka konsumuar fuqinë e saj dhe ka testuar arrogancën e qeverisë duke ja lënë asaj përgjegjësinë për agravimin e krizës.

Pra e rëndësishme është të kuptohet se greva e urisë është një protestë ekstreme e opozitës për një qëllim final të saj, që është transparenca e zgjedhjeve. Ajo mund të vazhdojë duke u kthyer në grevë–stafetë, vetëm nëse vazhdon të ruajë si kërkesë kryesore hapjen e kutive.

Në rast të kundërt, pra nëse opozita nuk njeh më qeverinë dhe legjitimitetin e saj, atëherë nuk ka arsye të vazhdohet protesta me grevë urie. Detyra e opozitës përballë një regjimi të paligjshëm, është konfrontimi me të dhe mosbindja civile.

Përpjekja e qeverisë për të frikësuar demonstruesit përmes arrestimeve arrogante dhe shëtitjes me pranga nga qyteti në qytet, është pikërisht frika nga përshkallëzimi i protestave.

Dhe siç ndodh rëndom në këto raste, më shumë se sa ujë mbi zjarr, arrestime të tilla ngjan si benzinë mbi zjarr. Për këtë arsye opozita nuk duhet të mbetet peng i projekteve që ka bërë për grevën e urisë, pasi realiteti mund të ofroj zgjidhje dhe më radikale se sa ajo.

E rëndësishme është që fryma e protestës të vazhdoj dhe të mbahet gjallë përmes aksionit opozitar, qoftë kjo grevë urie, apo protesta popullore.

(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale

KOMENTE