English

Shënim - Propozimet E Këshillit Të Sigurimit Për Sanksionet Kundër Iranit

NJU JORK, 19 maj /ATSH-ANSA/ - Bankat, anijet e mallrave dhe armët janë tre objektivat e projektrezolutës që u prezantua sot nga grupi "5+1" përpara Këshillit të Sigurimit për ta detyruar Iranin të heq dorë nga programi bërthamor. Teksti u përgatit nga Shtetet e Bashkuara, kështu që u limitua të konsultohej vetëm brenda grupit të vendeve që kanë fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit (SHBA, Britani e Madhe, Francë, Rusi dhe Kinë) plus Gjermania. Është më e ashpër nga rezolutat e mëparshme dhe mbi të gjitha tani kur u arrit edhe në një marrëveshje ndërmjet Teheranit, Ankarasë dhe Brazilias për transferimin e uraniumit. Për aprovimin e rezolutës duhen të paktën nëntë vota pro, ndër të cilat ato pesë të pesë anëtarëve të përhershëm. Turqia dhe Brazili janë pjesë e pesëmbëdhjetëshes dhe pa fuqi vetoje, kështu që mund të votojnë kundër ose të abstenojnë, të njëjtën gjë mund të bëjë edhe Libani. Nëse aprovohet, rezoluta do të vendosë sanksione të rënda mbi të gjitha transaksionet bankare iraniane, përfshi ato të Bankës Qendrore të Teheranit dhe fton të bëjnë kujdes të gjitha institucionet financiare që mbështesin Gardianët e Revolucionit. Objektivi është "të parandalohet që këto transaksione të kontribuojnë në përhapjen e aktiviteteve bërthamore". Institutet që do të dyshohet se financojnë programin bërthamor do të goditen nga "masa që ndalojnë (...) hapjen e filialeve dhe zyrave të reja", thuhet në projektrezolutë. Dhjet faqet e dokumentit të OKB-së parashikojnë edhe inspektime si në porte po ashtu në det të hapur, bazuar në të njëjtin model që është zbatuar për Korenë e Veriut, të anijeve të mallrave që dyshohet se mbajnë material të nevojshëm për ndërtimin e një bombe bërthamore. Dokumenti zgjeron embargon e armëve, përfshi tetë kategori të reja armatimesh të rënda si mjete të blinduara luftimi, sisteme artilerie të kalibrit të madh, avionë dhe helikopterë luftarakë, anije dhe raketa që mund të transportojnë testata bërthamore. Kërkohet më tej një bllokim i aktiviteteve në sektorë të ndjeshëm që mund të kontribuojnë në përgatitjen e armatimeve bërthamore si nxjerrja e uraniumit, që Irani, për shembull, e ka nisur në Zimbabve. Sugjerohet gjithashtu, për herë të parë për Iranin, krijimi i një komisioni ad hoc për të monitoruar dhe përmirësuar zbatimin e sanksioneve. /e.v/
KOMENTE