English

“Çlirohet” Bulevardi, makinat e qytetarët rifitojnë lirinë

Tiranë, 20 Maj, NOA /Blerina Ahmetaj - Për çdokënd që nuk ka qenë dëshmitar i ngjarjeve gjatë këtyre 19 ditëve, ky titull dhe këto radhë do t’i dukeshin të çuditshme, por për shqiptarët anembanë vendit, të majtë e të djathtë, fjala”zaptim” dhe “çlirim” do të thotë shumë.

Pjesa më e madhe e bulevardit të madh, për 19 ditë përjetoi një histori të paprecedentë, pasi në të u zhvillua greva më e pazakontë e 22 deputetëve dhe 180 qytetarëve të thjeshtë. Arsyet ishin politike, pasojat për të gjithë pa dallim bindje të majtë apo të djathtë.

Pa dashur t’i japim ngjyra politike vëzhgimit tonë, sot në bulevardin e madh “Dëshmorët e Kombit”, për të gjithë qytetarët e thjeshtë, kalimtarët dhe drejtuesit e automjeteve, sot bulevardi është çliruar dhe ata me plot gojën mund të quhen: Të lirë.

Nuk ka më çadra, nuk ka më grumbullime, nuk ka më militantë, as policë rendi të cilët më shumë se kurrë duhet të kenë mallkuar veten pse kanë zgjedhur të punojnë në këtë vend pune.

Por më e rëndësishmja: nuk ka më çadra dhe as protesta çdo pasdite, nuk ka më rrugë dhe kryqëzime të bllokuara.

Më në fund të lirë.

Më shumë Reportazhe

Jo pak por 19 ditë, kryeqyteti ynë Tirana ishte përfshirë nga kaosi, rrëmuja sikur po përjetonim të gjithë një revolucion, por një revolucion të imponuar.

Sot bulevardi është gdhirë i qetë, bosh me makina tek-tuk në të (mbase s’e kanë besuar se çadrat do të hiqeshin kaq shpet, por punëtorët që inskenuan skenën duket se dhe e kanë çmontuar), rrugët çuditërisht të pastra si asnjëherë, në trotuarin para kryeministrisë nuk ka më gardh hekuri, as gardh policie me efektiva blu dhe të gardës të cilat prej 19 ditësh i kanë dhënë çdo qytetari një shije jo të mirë për një shtet demokratik, edhe pse ata të zinjtë kanë bërë veç detyrën e tyre.

Kjo e enjte e lirisë ka qenë e tillë dhe për çdo drejtues automjeti që rruga për punë detyrimisht i bie nga bulevardi i madh.

Të gjithë janë të lodhur por të kënaqur, kaosi ka marrë fund dhe kjo pjesë e zaptuar e kryeqytetit ka fituar të gjitha të drejtat të jetë e lirë si të gjithë.

O Zot, bëj që të mos ndodhin më çudira të tilla në Shqipëri!

b.a/r.n/NOA

FOTO: Çadrat u hoqën gjatë natës duke gdhirë dita e sotme NOA/LSA

Foto të tjera, te Galeria

KOMENTE