English

Ecuri Pozitive Në Përgatitjet Për Maturën Shtetërore

- Ministri i Arsimit, Tafaj informon deputetët e komisionit të Medias - TIRANË, 20 Maj/ATSH/.- Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj informoi sot deputetët komisionit parlamentar të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik për ecurinë e maturës shtetërore, duke theksuar se përgatitjet për këtë proces kanë ecur pozitivisht. Anëtarët e komisionit i drejtuan ministrit të Arsimit pyetje mbi kualifikimin e mësuesve, ecurinë e maturës, masat që janë marrë etj. Në raportimin e tij ministri Tafaj njoftoi se në muajin qershor nis provimi i parë, ndërsa më 29 qershor përfundojnë të katër provimet, në mënyrë që më pas, nxënësit të kenë mundësi të nisin procedurat për marrjen e formularit A2 për ndjekjen e studimeve të larta. Ministri i Arsimit theksoi se nisja e konsultimeve për moskushtëzimin e marrjes së katër provimeve është një element pozitiv. Në vijim, Tafaj theksoi se, për vitin e ardhshëm po punohet që maturantët me mbarimin e gjimnazit të mos marrin më dëftesë pjekurie, por diplomë. Kjo masë, sipas ministrit të Arsimit, krijon lehtësira dhe standarde për ndjekjen e studimeve universitare. Duke vlerësuar se tjetër element i rëndësishëm është futja e provimit të anglishtes për vitin e ardhshëm shkollor, Tafaj tha se "me anë të këtyre masave, synohet përmirësimi dhe arritja e standardeve të vendeve të Bashkimit Europian". Ndërsa për proçesin e korigjimit të provimeve, Tafaj tha se "janë përzgjedhur mësuesit me nivelin më të mirë dhe më me përvojë, të cilët edhe do të trajnohen". Ministri i Arsimit vlerësoi edhe rëndësinë që ka nxitja e shkollave dhe universiteteve për zhvillimin e seancave këshillimore me specialistë të ministrisë së Arsimit, si "një proçes që po ecën mjaft mirë". /a.s//n.m/
KOMENTE