English

Juliana Pasha, prova e parë e suksesshme në “Eurovision 2010”

Tiranë, 20 maj, NOA /Milena Selimi - Duket se e ka kaluar me sukses provën e parë në “Eurovision” Juliana Pasha, e cila përfaqëson Shqipërinë në “EuroSong 2010” pasi ka mundur të tërheqë vëmendjen e kritikës, që është shprehur në faqen zyrtare të festivalit se “Këngëtarja është transformuar në skenë. Një zë i fortë dhe një këngë me performancë evropiane”.

Mendohet se këto do të jenë dy nga pikat e forta, me të cilat këngëtarja shqiptare do të prezantohet në skenën e festivalit.

Juliana Pasha do të prezantojë Shqipërinë më 25 maj, me këngën "Nuk mundem pa ty" (It's all about you), me muzikë të Ardit Gjebresë, tekst të Gjebresë dhe Pirro Çakos. Shoqërohet nga violinisti Olen Çezari dhe tri back-vokaliste amerikane Joy Garrison, Glenys Vargas dhe Desiree Kedjour.

Konkurrentja shqiptare është e para që hap gjysmëfinalen mes 39 shteteve pjesëmarrëse.

Vetëm pak para nisjes ajo është shprehur për mediat se “Uroj të hyjmë në finale”.

Kënga “Nuk mundem pa ty” është prezantuar para fillimit të “EuroSong 2010” në Holandë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Greqi, me koncerte, ku këngëtarja ka marrë vlerësime pozitive, si për mënyrën e të kënduarit, ashtu edhe për vetë këngën, e cila, për herë të parë cilësohet të jetë me ngjyrime evropiane.

Në faqen zyrtare të “Eurovisionit” shkruhet se ajo performoi këngën pop me shumë ritëm dhe bindshëm, me një zë të fortë dhe një koreografi të përshtatur mirë", duke e cilësuar paraqitjen e këngëtares si një "provë të parë shumë të mirë".

m.s/n.e/NOA

KOMENTE