English

Parlament, deputetët e PD rrëzojnë dekretin e radhës së Presidentit

Tiranë, 20 Maj 2010 NOA – Deputetët e mazhorancës kanë rrëzuar dekretin e radhës që vjen nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Vangjel Kosta nuk do të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese edhe pse para pak ditësh Presidenti Topi dekretoi emërimin e tij, me një dekret që sipas ligjit, hyn në fuqi menjëherë.

Në një seancë ku morën pjesë pak më shumë se gjysma e 140 deputetëve, 66 prej tyre votuan kundër Vangjel Kostës, 4 i dhanë vota pro kurse dy të tjerë abstenuan, duke e djegur përfundimisht postin e fituar nga Topi, si i Gjykatës Kushtetuese.

Emrat e zgjedhur nga kreu i shtetit plot një javë më parë, erdhën pas një sërë konsultimesh të bëra.

Topi zgjodhi për anëtarë të rinj, Vangjel Kosta, Bashkim Dedja dhe Altina Xhoxhaj. Dekretimi i tyre siç konfirmoi Presidenca, u bë në mbështetje të neneve 93 dhe 125, pika 1 të Kushtetutës.

Vendimi i kreut të shtetit është pjesë e një procedure normale e detyrës së tij në emërimin e anëtarëve të institucioneve kushtetuese.

Por ajo që e bënë këtë dekretim të kthehet në qendër të debatit politik është fakti se Partia Socialiste, në një nga gjashtë kërkesat e saj ka kërkuar që të bëhet transparencë dhe për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Emrat e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese u votuan mbrëmjen e sotme në seancën e radhës në Kuvend dhe një prej tyre doli jashtë loje me votat kundër. Tani, pritet të shihet reagimi i mazhorancës dhe i opozitës.

r.n/NOA

KOMENTE