English

Sport-Profil/ Loro Boriçi, Figura E Jashtëzakonshme E Futbollit Shqiptar

içi, njeriu që vetëkënaqësia nga sukseset nuk i mposhti karakterin e thjeshtë - TIRANË, 20 Maj / ATSH- Gjergji Mima/ - "Loro Boriçit i përkasin shumë epitete, jo vetëm të futbollistit të madh të një superelite të rrallë me karakteristika të fisme të lojës së magjishme, trajnerit me një bagazh të madh dijesh, eksperiencash e prodhimit të ideve, që sollën disa rezultate të rangut europian e botëror, por ai ishte edhe simboli i një njeriu të jashtëzakonshëm. Loro Boriçi përfaqëson simbolikën e futbollit dhe të sportit shqiptar". Kështu e përkufizon figurën e jashtëzakonshme të Loro Boriçit, Mjeshtri i Madh i Sportit, Sokol Morina. Loro Boriçi, i biri i Zefit dhe Marijes, u lind në 10 gusht 1922, në qytetin e Shkodrës, nga një familje e njohur dhe e respektuar. Mësimet e para i mori së bashku me vëllain e tij më të madh, Markun, në kolegjin Saverian, që kishte shumë tradita në kulturë dhe dije, i ngritur që në vitin 1874. Të dy vëllezërve, kolegji Saverian u hapi horizonte të reja edhe për futbollin. Si gjimnazistë, Boriçët u lidhën ngushtë më lëvizjen sportive shkodrane. Në qershor të vitit 1937, pesëmbëdhjetë vjeçari Loro Boriçi, së bashku me vëllanë e tij 18 vjeçar, mori pjesë në ndeshjen që zhvilloi klubi i "Vllaznisë" me skuadrën "Dragoi" të Pogradecit. Ishte pagëzimi i parë, që e bëri Loro Boriçin të njohur për lojën e bukur që zhvilloi dhe pesë golat e bukur që shënoi në këtë ndeshje. Pasi përfundoi gjimnazin, Loro shkon në Itali, pas të vëllait, Markut. Aty regjistrohet për studime në fakultetin e Drejtësisë në Romë. Megjithatë dëshirën e mirë për t'iu bindur prindërve, Loro Boriçi, iu kushtua lojës së futbollit me shumë pasion. Pa kaluar shumë kohë shkon te klubi i "Lacios" dhe pas provës, regjstrohet në skuadrën "B" dhe më pas kalon në skuadrën e parë. Qendërsulmuesi Boriçi shpejt bëhet i njohur për lojën e tij elegante dhe për golat që shënonte, me goditjet "bombë". Megjithë ofertat që ju bënë për të qëndruar në Itali në kohën e luftës, Loro kthehet në atdhe. Në shtatorin e vitit 1945, futbollisti shqiptar rinisi përsëri rrugën që kishte filluar në vitin 1930. Në këtë lëvizje të futbollit shqiptar, Loro Boriçi u radhit i pari me "Vllazninë" e Shkodrës. Në pranverën e vitit 1945, mori pjesë në turneun ndërkombëtar, që u zhvillua ne Beograd me skuadrën e "Tiranës", ku shënoi edhe golin e barazimit ndaj skuadrës bullgare. Në vitin 1945 vihet në krye të "Vllaznisë", si lojtari kryesor, që udhëhoqi skuadrën në fitoren e parë të kampionatit kombëtar. Në tetor të vitit 1946 skuadra kombëtare, me kapitenin e saj, Loro Boriçi, pas lojrave shumë të bukura që zhvilloi, meritoi kupën, duke u shpallur kampione e Ballkanit. Fitorja e Ballkaniadës e bëri futbollin tonë të njohur në të gjithë Europën dhe e bëri emrin e Loro Boriçit, objekt të qarqeve futbollistike. Në vitin 1948, Loro Boriçi drejtoi skuadrën kombëtare të futbollit në ndeshjet për kupën e Ballkanit dhe Europës Qëndrore. Në të gjitha veprimtaritë futbollistike brenda e jashtë vendit, pjesëmarrja e Loros ishte vendimtare. Ai ishte bërë tashmë një lojtar që përfaqësonte denjësisht futbollin shqiptar me talentin, ndershmërinë, korrektësinë, besnikërinë dhe bukurinë sportive, që kishte tërhequr vemendjen e të gjithë sportëdashësve. Pas fitoreve me "Vllazninë" e Shkodrës, Loro vjen në Tiranë për të kryer shërbimin ushtarak dhe nga viti 1949 merr pjesë në një nga skuadrat më në zë të futbollit shqiptar, skuadrën e "Partizanit", e cila doli kampione e vendit për disa herë rrjesht. Loro, lojtari, trajneri, dhe njëkohësisht kapiteni i kësaj skuadre, pati një rol kyç në skuadër. Ai ishte tip i rrallë. Luante me pasion, stërviste shokët e tij. Ai ka drejtuar me përkushtim e dashuri skuadrat tona të futbollit, brenda e jashtë vendit. Në vitin 1956 Loro Boriçi caktohet trajner i skuadrës së "Partizanit", e më vonë edhe i skuadrës përfaqësuese të Shqipërisë. Në krye të "Partizanit" ai fitoi kupa e kampionate. E po kaq i suksesshëm ishte edhe në aktivitetet ndërkombëtare. Në vitin 1960 Loro dërgohet për studime në shkollën e trajnerëve pranë Institutit të Fiskulturës e Sporteve në Bullgari. Edhe këtu ai shquhet për korrektesën dhe zellin që tregoi për të përvetësuar teknikën bashkëkohore të futbollit europian. Stërvitej me skuadrën e ushtrisë bullgare "C. D. N. A.- në" e Sofjes, që në atë kohë ishte skuadër me emër në futbollin europian. Loro Boriçi ishte i dashur dhe i respektuar edhe nga studentët shqiptarë të Bullgarisë, sepse ishte shëmbull i thjeshtësisë dhe njeriu i dashur për të gjithë. Loro Boriçi përfaqëson një nga figurat më të shquara të sportit shqiptar. Ai ka një emër të nderuar e të respektuar si rrallë kush. Sportisti i gjithanshëm e kampion, një nga sportistët më popullorë të kohës së vet. Loro ishte futbollisti i klasit europian. Ka qënë përfaqësuar 24 herë si kapiten i kombëtares. Përfaqësues i qytetit të Tiranës, i "Vllaznisë" së Shkodrës dhe i "Partizanit" në qindra ndeshje kombëtare e ndërkombëtare. Lojtar me klubin e mirënjohur italian të "Lacios". Në vitet 1972- 1975 u dërgua në Kinë për të dhënë ndihmesën e vët në futbollin kinez, që sapo hidhte hapat e para. Për meritat e tij në sportin shqiptar, Loro Boriçi është nderuar më mjaft tituj e dekorata: Ai është "Mjeshtër i madh i punës"; "Nderi i Sportit Shqiptar"; "Trajner Kombëtar"; "Mjeshtër i Merituar i Sportit "; dhe plot urdhëra e medalje; "Qytetar nderi i Tiranës", ndërkohë që stadiumi i qytetit të Shkodrës dhe shkolla e mesme e futbollit në Tiranë, mbajnë emrin e tij. Loro Boriçi vdiq në vitin 1984, në moshën 62-vjeçare, që për një sportist mund të quhet vdekje e parakohshme. Sokol Morina, Mjeshtër i Madh i Sportit, tregon se "sa më shumë kalon koha nga ndarja me Loron, aq më në dukje dalin dy nga vlerat e tij të ralla, njeriu i thjeshtë, futbollisti dhe trajneri më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave. Loro Boriçi i përket atij brezi që gjatë gjithë jetës së tij iu përkushtua me pasion sportit dhe sa më shumë suksese arrinte në karrieren e tij, aq më modest tregohej". Sipas Morinës, "asnjëherë vetëkënaqësia nuk e mposhti karakterin e tij të thjeshtë dhe këtu qëndron vlera e tij për brezat e sotëm të sportistëve dhe trajnerëve". "Loro Boriçi ka qënë dhe mbetet futbollist i madh, trajner i shquar dhe njeri shembullor, që gjithë jetën e tij e vuri në shërbim të sportit shqiptar. Për të gjitha këto ai do të kujtohet brez pas brezi", thotë Morina. - Karriera dhe titujt e fituar nga Loro Boriçi - - Tituj sportiv: "Mjeshtër i Merituar", "Trajner Kombëtar", "Nderi i Sportit Shqiptar" - Ekipet ku ka luajtur: "Vllaznia" (1937-1945, '46, '47, '48),"Partizani" (1949 - 1956), "Spartaku" i Tiranës (1956), Lacio(1941-1942). - Klubet që ka drejtuar: "Partizani", "Spartaku" i Tiranës,"Flamurtari", "Lokomotiva", "Kombëtarja e të Rinjve", ekipi "Shpresa",ekipi i Kombëtares së Shqipërisë, Kombëtaren e Kinës. - Ndeshje ndërkombëtare të luajtura: Ka luajtur 80 ndeshje, nga të cilat 20 i ka luajtur me ekipin kombëtar, ku ka shënuar 38 gola. - Trofe të fituara: Kampion Kombëtar si futbollist: "Vlaznia" (1945), "Partizani" (1949,1954). Kupa Republike: "Partizani" 1949, Kampion Ballkani si futbollist ( 1946), 6 herë golashënuesi më i mirë i vendit. - Si trajner: Kampion Kombëtar me "Partizanin" (1962 / 63, 1963/ 64,1970/71. Kupa Republike: "Partizani", 1964, 66, 68, 70. Kampion Ballkani midis klubeve, "Partizani" 1970, kampion Ballkani me Shpresa. - Dekoruar: Urdhri "Naim Frashëri" Klasi i Parë, Urdhri i Artë "Naim Frashëri", Medalje pune: "Mjeshtri i Madh i Punës"./s.s./
KOMENTE