Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Durrës: Pishinat E Qytetit, Shenjat E Projekteve Të Pambaruara
English

Durrës: Pishinat E Qytetit, Shenjat E Projekteve Të Pambaruara

DURRËS, 21 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Qyteti i Durrësit ka trashëguar nga vitet 1970 një pishinë notimi të hapur që shfrytëzohet ende, por pak njerëz e njohin fatin e pishinave të tjera, pranë shëtitores "Taulantia". Projektet kishin përcaktuar ndërtimin e tre pishinave, të cilat furnizoheshin me ujë deti, madje njëra prej tyre do të ndërtohej në det. Gjithçka ishte parashikuar të ngrihej në të njëjtin aks në zonën ku më vonë mori jetë muzeu i ri arkeologjik i qytetit antik. Por përveç pishinës së hapur me tetë korsi, që vetëm 10 vjet më parë mori emrin "Taq Dafa", njërit prej notarëve veteranë të Durrësit, të tjerat kanë mbetur në formën e rrënojave dhe kujtimeve të projektuesve apo ndërtuesve. Pranë pishinës së hapur ndodhet edhe ajo çka ka mbetur nga pishina e mbyllur me gjatësi 25 metra, që u ngrit në fundin e viteve 1980, aty ku ndodhej në atë kohë një prej reparteve të ndërmarrjes kimike. Kapriatat prej hekuri të mbulesës tashmë janë ndryshkur tërësisht dhe ish-sportistët notarë kujtojnë se impianti i ngrohjes së ujit në këtë pishinë nuk u vu asnjëherë në përdorim. Në fillim të viteve 2000 ndërtuesit e shumtë të pallateve i janë sjellë disa herë rrotull territorit, që mund edhe të marrë formën e godinave të shumta prej betoni që popullojnë zonën. Ndërsa Bashkia ende nuk ka vendosur nëse sipërfaqja e saj do të ketë të ardhme të gjelbërt apo gri. Pishina e tretë e cila nuk u përfundua kurrë, është e vështirë të perceptohet, megjithëse edhe ajo i ka lënë shenjat e veta mbi sipërfaqen e detit, se vetëm 100 metra larg bregut, këtë herë brenda në ujë, një mori plintash prej betoni të ngulura në truallin nënujor vazhdojnë të përgojohen për destinacionin e tyre fillestar. Në fakt, tamam përballë basenit me gjatësi 50 metra të pishinës së hapur, janë vendosur në të njejtën gjatësi olimpike, pra 50 metra larg njëra- tjetrës, dy radhë me 28 plinta betoni, ndërsa në të dy krahët janë ngulur, në kënd të drejtë, tre radhë me plinta të vendosura më ngjeshur që do të shërbenin si bazamente betoni për përgatitjen e notarëve dhe për startimin e garave. 20 vjet më vonë gjithçka ka mbetur në fazën fillestare pa marrë asnjë lloj forme të dukshme dhe duke i dhënë mundësinë qindra njerëzve që lëvizin në shëtitoren "Taulantia", të thurin lloj loj historish vetjake mbi kolonat që nxjerrin kokën rreth 2 metra mbi ujë dhe ku herë pas here ulen tufa zogjsh shtegtarë./ch/
KOMENTE