English

Rihapet Tuneli Jugor I Thirrës

TIRANE, 21 Maj/ATSH, Riza Hoxha/.- Tunel jugor i Thirrës në Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morin, u rihap sot paradite për qarkullim pas përfundimit të punimeve, si rezultat i një shembjeje në këtë tunel. Ministri i Transporteve Sokol Olldashi, i pranishëm në këtë rihapje të tunelit tha se "hapja e tunelit është shumë e rëndësishme në prag të këtij sezoni turistik". Ai tha se "kalimi nëpër tunel që i shërben gjithë rajonit, do të jetë pa pagesë", ndërsa bëri të ditur gjithashtu se "riparimi i dëmit kapi shifrat e 30 milionë euro". Tuneli i Thirrës u mbyll në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar. Në njoftimin e MPPT-së thuhej se "tuneli do të mbyllet me qëllim që t'i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situatë kjo e paparashikuar, për të cilën kontraktori po punon në vijimësi". Kalimi i mjeteve devijoi përmes aksit të vjetër rrugor, në drejtimin Morin-Kukës-Shpal-Rreps-Rrëshen-Milot dhe anasjelltas. Autostrada Durrës-Kukës-Morin, 170 kilometra e gjatë, që u vu në punë në 25 Qershor 2009, shkurton në mënyrë të ndjeshme distancën mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa rrit ndjeshëm qarkullimin e njerëzve dhe të mjeteve në sezonin veror. Pjesë e autostradës Durrës-Morin është dhe tuneli Thirrë-Kalimash, në segmentin Rrëshen-Kalimash. Tuneli Thirrë- Kalimash dhe anasjelltas, i hapur në një masiv shkëmbor, ka dy hyrje: veriore dhe jugore, me gjatësi 5.6 kilometra secila. Ndërtimi i kësaj autostrade përfshiu përveç dy tuneleve paralele me nga 5.5 km gjatësi edhe 29 ura. Afro 4.5 km rrugë është mbi ura dhe struktura deri në 80 m lartësi. E gjithë kjo vepër inxhinierike madhore u ndërtua nga kompania amerikano- turko Bechtel & Enka. Autostrada e re, e konsideruar si një vepër gjigande, kalon në Durrës-Vorë-Fushë Krujë-Milot-Rrëshen-Reps-Thirrë-Kalimash-Kukës-Morin. Gjatësia totale e kësaj autostrade llogaritet 170 km, nga të cilat 111 km rrugë e re. Brenda një ore pas hapjes, përmes tunelit jugor të autostradës Morin - Kukës -Durrës kanë lëvizur në të dy anët mbi një mijë automjete, ndërsa gjatësia e mjeteve që presin të lëvizin në të dy anët, është e madhe. "Fluksi i kësaj dite është i madh, por do të normalizohet brenda ditës së sotme", thotë një prej punonjësve të stacionit të policisë së tunelit. Ndërsa gjithë vargani në të dy anët kontrollohet përmes lëvizjes së një mjeti të policisë dhe një zjarrfikëseje. Fluksi i madh i lëvizjes së mjeteve nga të dy anët është pasojë e pritjes së udhëtarëve e tregtarëve për të lëvizur shkurt në aksin rrugor Tiranë - Kosovë, që deri sot deri në Kukës kryhej për mbi 6 orë. Kontrollin e lëvizjes së mjeteve në të dy anët e tunelit e mundësojnë forcat e policisë, të cilave u binden të gjithë drejtuesit e mjeteve. "Është fillimi, pasi të largohet fluksi i parë, situata do të normalizohet", thotë punonjësi i policisë Rexhep Hyseni./a.s//n.m/
KOMENTE