English

Kuzhina Italiane-Një Libër Për T'A Përdorur Dhe Shijuar Si Duhet

TIRANË, 22 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Kuzhinën italiane duhet ta provosh vetëm në shtëpinë e saj, në Itali. Kështu thonë ata që kanë provuar në restorantet italiane ushqimet e përgatitura në to, e megjithatë kjo kuzhinë është e përhapur në të gjithë botën. "Është kuzhinë që ka njohur shtrirje të gjerë dhe zhvillim të vazhdueshëm në shekuj, bashkë me zhvillimin e vendit", tha sot për ATSH-në Francesco Vitalli, drejtori i Institutit Italian të Tregtisë së Jashtme, i cili ka mundësuar botimin e librit "Arti i Kuzhinës italiane në tavolinat tuaja", i cili u prezantua sot në mjediset e Galerisë së Arteve, në kuadër të Sallonit të Librit Italo-Shqiptar. Prezantimi i këtij libri synon promovimin e kuzhinës së Mesdheut, të shijes italiane në Shqipëri. "Kuzhina italiane është një shije e përhapur në të gjithë vendin dhe këtu në Shqipëri është prezente e mjaft cilësore", u shpreh Vitalli. Ndërkohë, sipas tij, "ky prezantim i kuzhinës italiane synon të bëjë të ndërgjegjshëm konsumatorët mbi llojet dhe produktet e kësaj kuzhine, aq të njohur e të dashur në Shqipëri". Veprimtaritë e zhvilluara në kuadër të prezantimit të kuzhinës italiane kanë pasur dhe bashkëpunimin e ekpertëve të njohur të kuzhinës italiane, çka ndikon dhe në formimin e profesionistëve shqiptarë. Promovimi i këtij libri, i dyti për kuzhinën italiane, u ideua në mënyrë të tillë që t'i japë konsumatorit dhe profesionistëve informacionet e duhura mbi produktet tipike italiane, si dhe përdorimin e tyre në kuzhinë, nëpërmjet dhënies së një numri të madh recetash nga të gjithë rajonet e Italisë. Ambasadori italian në Tiranë, Saba D'Elia, tha për ATSH-në se "kjo veprimtari mbahet për të tretin vit radhazi, e organizuar nga ICE, në kuadër të stinës së eventeve 'Italia-Shqipëria 2010: dy popuj, një det, një miqësi". Sipas tij, "në kuadër të kësaj nisme, janë promovuar veprimtari ekonomike, kulturore, me qëllim forcimin e marrëdhënieve të miqësisë midis dy popujve tanë, marrëdhënie aq të lashta e historike". "Midis dy popujve tanë, deti është hapësira që na bashkon. Italia ka mbështetur Shqipërinë në fushën e integrimit të saj, ndërsa ka rol të rëndësishëm në fushën e shkëmbimeve tregtare, donacioneve, etj", theksoi Ambasadori D'Elia. Italia është e njohur për prodhimtarinë e saj autentike nga kopshtet, pemishtet, por edhe për cilësinë unike të ushqimit, sikurse djathrat dhe mishrat, të bërë nga artizanët sipas traditave lokale në vend. Një numër i madh i këtyre ushqimeve u mbrojtën zyrtarisht nga Bashkimi Europian, miratuar në 1992. Në vitin 2002, kanë qenë rreth 72 produkte DOP (emërtim me origjinë të mbrojtur) dhe 31 IGP (indikacion gjeografik i mbrojtur), midis shumë kandidatëve të tjerë në të dyja kategoritë. Në 103 ushqimet e mbrojtura përfshihen rreth 30 lloje djathrash, 20 lloje vaj ulliri, 18 lloje mishi dhe dy tipe uthulle tradicionale të balsamta./s.s./
KOMENTE