English

Turkmenistani Shpërfill Rusinë Dhe Vendos Ta Ndërtojë Vetë Gazsjellësin "Lindje-Perëndim"

ASHGABAT, 22 maj /ATSH-AFP/ - Turkmenistani njoftoi sot se do ta ndërtojë vetë gazsjellësin "Lindje-Perëndim" që do të lidhë shtresat e tij të pasura me gaz, projekti i të cilit arrin në 1,5 miliardë dollarë dhe ku Rusia shpresonte të luante një rol të rëndësishëm. "Do të fillojmë së shpejti ndërtimin e një gazsjellësi të ri Lindje-Perëndim me burimet tona", deklaroi presidenti Gurbangouly Berdymoukhamedov, i cituar në gazetën qeveritare "Neutral Turkmenistan". "Gazsjellësi i ri do të lidhë rajonet lindore të vendit, ku janë përqendruar rezervat më të mëdha të gazit, me rajonet më të zhvilluara të qendrës së Turkmenistanit dhe përgjatë detit Kaspik", bëri të ditur ai. Berdymukhamedov nënshkroi një dekret që i kërkon kompanisë energjetike publike "Turkmengaz" të marrë përsipër ndërtimin e gazsjellësit kapaciteti vjetor i të cilit do të jetë 30 miliardë metra kub, thuhet në gazetë. Ndërtimi i gazsjellësit pritej të fillonte në qershor, pasi vënia e tij në funksionim është njoftuar për në qershor të vitit 2015. Njoftimi duket se është një tallje ndaj disa vendeve, por në veçanti ndaj Rusisë që për një kohë të gjatë kishte shpresuar të merrte pjesë në projekt. Turkmenistani ka rezerva të mëdha gazi dhe nafte të lakmuara si nga Rusia dhe nga Kina e Evropa. Rusia dhe Turkmenistani pritej të nënshkruanin në fund të marsit të vitit 2009 një marrëveshje për ndërtimin e këtij gazsjellësi, por kjo nuk u arrit pas një takimi në Moskë mes Berdymoukhamedov dhe homologut rus, Dmitri Medvedev. /I.Pu.
KOMENTE