English

Libi - Hezbollah/Siri/Izrael - Kouchner Takohet Me Asad, Shprehet Për Zbutjen E Marrëdhënieve

BEJRUT, 23 maj /ATSH-AFP/ - Shefi i diplomacisë franceze Bernard Kouchner u shpreh sot në Damask dhe në Bejrut për zbutjen e marrëdhënieve mes Izraelit de fqinjëve të tij, duke u kërkuar të gjitha palëve të respektojnë rezolutën 1701 që i dha fund konfliktit mes milicisë shiite Hezbollah dhe Izraelit në vitin 2006. "Nuk mund të durojmë një gjendje pa fund tensioni edhe kur ai zvogëlohet", bëri të ditur Kouchner për gazetarë pasi u takua sot në mëngjes në Damask me presidentin sirian Bachar al-Assad. Franca u bën thirrje të gjitha palëve për respektimin e rezolutës 1701, shtoi ai. Rezoluta 1701 i dha fund një konflikti të armatosur në vitin 2006 jug të Libanit mes Izraelit dhe lëvizjes shiite libaneze Hezbollah, që shkaktoi më tepër se 1 200 të vdekur në radhët e libanezëve, kryesisht civilë dhe më tepër se 160 në rradhët e izraelitëve, kryesisht ushtarë. Kjo rezolutë e Këshillit të Sigurimit parashikon një embargo për armët me destinacion Libanin që nuk është e autorizuar nga qeveria libaneze ose Forca e përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL). Pas një qëndrim inë Stamboll, Kouchner mbërriti dje në mbrëmje në Damask ku pati një darkë pune me homologun sirian Walid Muallem. Pas takimit sot në mëngjes me Asad, ai shkoi në Bejrut dhe pritet ta përfundojë turneun nesër në Kajro. Gjatë takimit me Assad, Kouchner shprehu shqetësimin e Francës përballë armatimit të tepërt të Hezbollahut, njoftoi një burim diplomatik francez. Sipas të njëjtit burim, presidenti i deklaroi Kouchner se Siria nuk do të hapë asnjëherë luftë dhe as Hezbollahu dhe se nuk është as në interesin e Iranit të fillojë një konflikt. /I.Pu.
KOMENTE