English

Reportazh/ Ksamil: Qyteza Nis Të Pastrohet Nga Ndërtimet Pa Leje

KSAMIL, 24 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/ - Pas rënies së komunizmit, bregdeti i Ksamilit është deformuar si pasojë e lëvizjes demografike dhe Vesel Koçiu, kryekomunari i komunës, thotë se numri i banorëve është dhjetëfishuar pas vitit 1990, gjë që ka krijuar probleme në planin urbanistik. "Pjesa më e madhe e banorëve vijnë nga zonat e thella të Tepelenës", thotë Koçiu, që nënvizon se ndërtimet paleje kanë hapur plagë të pashërueshme. Një vit më parë, arkitekti Maks Velo teksa udhëtonte me stafin e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit "Butrint 2000", i mbetur habitur nga pamja urbanistike e Ksamilit, tha shkurt "Xhungël", duke j'u drejtuar bashkëudhëtarit, Josif Papagjoni, studiues e kritik i teatrit, kinematografisë e letërsisë. Koçiu shpjegon se komuna tashmë ka një plan urbanistik, por është shumë e vështirë të vendosësh pika mbi "i". "Nga 20 godina që ishin deri në vitin 1990, sot janë ndërtuar mbi 350 objekte, ku gati 90 përqind e tyre janë pa leje", tregon ai. Sipas tij, 300 objekte kanë përfituar nga "Ligji i legalizimit" i miratuar në vitin 2006. "Gjatë katër viteve të fundit kemi konstatuar rreth 50 objekte, por pronarët nuk e kanë marrë parasysh obligimin tonë", thotë Koçiu, që shton se këto ndërtime pa leje nuk do të legalizohet kurrë, pasi aty ku ngrihen, janë parashikuar të ndërtohen vepra publike. "Ksamili është penalizuar shumë nga infrastruktura e dobët", thotë Koçiu, që nënvizon se kjo zonë duhet të zhvillohet. Ndaj sivjet pushtetit vendor ka vendosur të mos lejojë më ndërtime të pastudjuara. Prej tre vjetësh, 62-vjeçari Jani Papa nga fshati Jermë, rreth 20 km në veri të Sarandës, babai i katër fëmijëve administronte buzë bregdetit të Ksamilit një godinë dykatëshe, por objekti i tij u shemb sot, sepse ishte i paligjshëm. Pavarësisht se Papa pretendonte të kundërtën, Inspektoriati Kombëtar i Ndërtimit e kishte identifikuar objekt informal, në bazë të hartës topografike të realizuar në vitin 2006. Ai tregon se themelet u hodhën disa ditë pasi u miratua në Parlament "Ligji i Legalizimit", me shpresë për ta legalizuar. "Jam i gatshëm të paguaj dyfishin për të legalizuar objektin, por shteti nuk toleron më", thotë Papa./ch/
KOMENTE