English

Problemet në administratën publike, Gjermania financon sërish

Tiranë, 25 Maj, NOA – Në mjediset e ambasadës gjermane në Tiranë, ditën e nesërme ambasadori i Gjermanisë Bernd Borchardt dhe drejtoresha ekzekutive e AKSES Albanua Marjana Papa, do të nënshkruajnë marrëveshjen për vazhdimësinë e projektit “Për një administratë publike të qëndrueshme dhe profesionale”, projekt i cili realizoi gjatë vitit 2009 modelin e parë të monitorimit të qëndrueshmërisë së administratës publike nga ana e shoqërisë civile.

Kështu, gjatë vitit 2010 me mbështetjen financiare të qeverisë gjermane, në një vlerë prej afro 24.000 eurosh, AKSES do të vazhdojë monitorimin në 15 institucioneve të qeverisjes qendrore të cilat përfshijnë edhe një pjesë të rëndësishme të shërbimit civil në Shqipëri.

Ndërkaq, gjatë vitit 2009, AKSES ka evidentuar një sërë problemesh të cilat e kanë dëmtuar rëndë jo vetëm performancën e administratës, por edhe imazhin e saj në sytë e publikut si: rrjedhja e kapaciteteve administrative për shkak të mobilitetit të lartë i cili në harkun e 4 ose 5 viteve rifreskon gjithë administratën, rënia e besimit në objektivitetin e konkurseve ku numri i ulët i aplikimeve nuk i përgjigjet realitetit të kërkesës së lartë për punë në Shqipëri, ekzistenca sistematike e kontratave të përkohshme si mjet për të anashkaluar ligjin dhe rekrutuar mbi baza të njohjes, përkatësisë shoqërore apo politike, fiktiviteti i vlerësimeve të performancës, mungesa e transparencës e objektivitetit në marrjen e masave disiplinore, paqëndrueshmëria e strukturave, moszbatimi i

vendimeve të gjykatave dhe pasiguria e punonjësve të administratës për jetëgjatësinë e vendit të punës.

Për këtë vit, bëhet me dijeni se AKSES do të vazhdojë të nxisë diskutimin pozitiv të këtyre problemeve me qëllim adresimin e tyre në mënyrë transparente, të nxisë llogaridhënien e administratës përmes një roli më aktiv, profesional dhe të qëndrueshëm nga ana e shoqërisë civile.

n.e/NOA

KOMENTE