English

Rama:Të Gatshëm Për Zgjidhjen E Krizës, Pala Tjetër Të Mos Vonojë

TIRANË, 25 Maj/ATSH-Anila Struga/.- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu sot gatishmërinë e opozitës për zgjidhjen e krizës, ndërsa kërkoi nga pala tjetër të mos e vonojë pranimin e zgjidhjes. "Zgjidhja e kompromisit është në tavolinë dhe ne jemi gati për zgjidhjen. Pala tjetër nuk ka pse fshihet pas alibive, që tanimë janë rrëzuar dhe as duhet ta vonojë pranimin e zgjidhjes, duke u faturuar shqiptarëve pasoja të pamerituara dhe duke shtuar pa asnjë të drejtë peshën e krizës me pasoja të pallogaritshme për ecurinë e vendit në rrugën e integrimit europian", tha kryetari socialist Rama në një deklarate për shtyp. Sipas tij, "kriza e thellë ku zhytet çdo ditë Shqipëria kërkon zgjidhje dhe opozita është e gatshme të japë zgjidhjen e duhur, duke bërë kompromisin e duhur, por pa cënuar transparencën në respekt të Kushtetutës". Rama iu bashkua shqetësimit të shprehur dje nga Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers, për gjendjen e drejtësisë në vend, nisur nga rrëzimi në parlament i kandidaturës së Vangjel Kostës, i propozuar nga Presidenti i Republikës, për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. "Ky ishte një rrëzim për motive të errëta dhe në kundërshtim të plotë me frymën e transparencës dhe kushtetueshmërisë", u shpreh kryetari i PS-së në deklaratën e sotme për shtyp./s.s./
KOMENTE