English

Shqipëria Dhe Rajoni I Emilia Romanjës, Bashkëpunim Në Sektorin E Shëndetësisë

jatë një vizite dyditore të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili - TIRANË, 25 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Shqipëria dhe rajoni i Emilia Romanjës (Itali) pritet të bashkëpunojnë në sektorë të ndryshëm të shëndetësisë, si trajnime të personelit mjekësor, sistemin e menaxhimit administrativ dhe financiar të spitaleve, sistemin e urgjencës, dhurimit të gjakut, politikën e medikamenteve, etj. Zyra e shtypit e Ministrisë së Shëndetësisë bëri të ditur sot se gjatë vizitës dyditore (24-25 maj) në rajonin e Emilia Romanjës, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u takua me Këshilltarin Rajonal për Politikat Shëndetësore, Carlo Lusenti, me të cilin ndau të njëjtin mendim mbi bashkëpunimin e frytshëm në të ardhmen në mbështetje të sistemit shëndetësor shqiptar. Lusenti njohu ministrin Vasili me karakteristikat kryesore të shërbimit shëndetësor të Emilia Romanjës, ndërkohë që në takim u përcaktuan dhe prioritetet në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme bashkëpunimi dypalëshe. Ministri i Shëndetësisë vizitoi edhe spitalin e qytetit të Bolonjës. Gjatë takimit me drejtorin e Përgjithshëm të njërës prej kompanive më të mëdha shëndetësore në Itali, Francesco Ripa di Meana, Vasili u njoh me një ekspoze të mënyrës së funksionimit të departamenteve të ndryshme të këtij spitali. Takimi me përfaqësuesit e këtij rajoni ka qënë një mundësi e mirë për delegacionin shqiptar në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në disa fusha prioritare, si trajnimi i personelit mjekësor, menaxhimit të spitaleve, sistemit të urgjencave mjekësore, dhurimit të gjakut, etj. Ndërkohë, drejtues të shëndetësisë shqiptare dhe të Emilia Romanjës ranë dakord për krijimin e një komisioni teknik bilateral për hartimin e një deklarate mirëkuptimi në kuadër të bashkëpunimit dypalësh si dhe shkëmbimin e eksperiencës midis palëve në fushën e politikave shëndetësore. /s.s./
KOMENTE